Google ADS

Erdoğan dhe Conte diskutojnë për Libinë

21:23 | 25 Korrik 2020
Arbresh.info

Presidenti i Turqisë dhe kryeministri italian në një bisedë telefonike u pajtuan që të vazhdohet dialogu për një zgjidhje politike në Libi.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi sot një bisedë telefonike me kryeministrin italian Giuseppe Conte.

Sipas një deklarate nga kryesia e komunikimeve e Presidencës së Turqisë, Erdoğan dhe Conte diskutuan zhvillimet rajonale, veçanërisht në Libinë e shkatërruar nga lufta, si dhe bashkëpunimin në luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Udhëheqësit u pajtuan që të vazhdohet dialogu për një zgjidhje politike në Libi.

Që nga prilli i vitit 2019, forcat jolegjitime të Khalifa Haftarit kanë nisur sulme në kryeqytetin libian të Tripolit dhe në pjesë të tjera të Libisë veriperëndimore, si pasojë e të cilave jetën e kanë humbur mbi 1 mijë persona, përfshirë gra dhe fëmijë.

Megjithatë, qeveria libiane së fundmi ka arritur fitore të konsiderueshme, duke i larguar forcat e Haftarit nga Tripoli dhe qyteti strategjik Tarhuna.

Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të një sulmi ushtarak nga Haftar, i cili është mbështetur nga Franca, Rusia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti.

OKB e ka njohur qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritetin legjitim të vendit./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme