Që nga nisja e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 2011, autoritetet e Kosovës, të përfshira në dialog nuk kanë qenë transparente me kohë lidhur me zhvillimet në kuadër të ktij procesi dhe kjo mostransparencë po vazhdon edhe pas rinisjes së dialogut, më 16 korrik të ktij viti, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike dhe të organizatave joqeveritare që merren me çështen e personave të pagjetur.
Më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimit Evropian.
Kryeministri Hoti ka theksuar se në takimin e 16 korrikut janë diskutuar vetëm dy tema, për të pagjeturit dhe për ekonominë.
Të enjten, më 23 korrrik, në Bruksel janë takuar delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë, siç është thënë, në nivel ekspertësh.
Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialog, Skënder Hyseni, pas takimit me palën serbe në Bruksel, nuk dha detaje lidhur me temat konkrete nga takimi i së enjtes, por theksoi që ka “pajtim rreth elementeve të caktuara dhe se biseda ka qenë konstruktive”.
“Nuk ka marrëveshje për kapituj të veçantë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Hyseni.
Sipas kryeministrit Hoti, në atë takim ka nisur hartimi i marrëveshjes përfundimtare pikërisht me këto dy tema.
Blakaj: Për të pagjeturit është dialoguar edhe më herët
Analistja Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se transparenca lidhur me procesin e dialogut që ka rinisur në Bruksel, si dhe qartësimi i tij është duke munguar.
Sipas saj, kryeminsitri Hoti nuk e ka bërë të qartë se çfarë do të thotë fakti se nuk do të shkohet me marrëveshje të veçanta, por që të gjitha këto do të jenë brenda një marrëveshje të përgjithshme.
Ajo shpreh mendimin që strategjia të cilën janë duke e përdorur palët në këtë fazë të dialogut, është që të nisin me hapjen e diskutimit të një varg temave, për të cilat ka pajtim dhe nëse arrihet pajtimi për të gjitha këto tema, atëherë do të ketë marrëveshje ose në të kundërtën jo.
Por, siç thotë ajo, opinioni ende nuk e di se cilat janë të gjitha ato tema për të cilat ekziston pajtimi i palëve që të diskutohet për to.
“Kjo duhet të sqarohet, në kuptimin që edhe familjet e personave të pagjetur të mos ngrisin pritshmëritë e tyre se menjëherë kjo çështje do të zgjidhet. Kjo mund të marrë kohë dhe duhet ta kemi të qartë se çfarë do të thotë. Është pozitive që në kuadër të dialogut të diskutohet çështja e të pagjeturve, pasi që dialogu që nga viti 2011 nuk e ka pasur pjesë të saj këtë temë.
“Por, duhet të kuptohet mirëfilli se çfarë do të thotë kjo, ashtu siç duhet në të njëjtën kohë të ketë qartësim rreth asaj se çfarë po synohet të arrihet me këtë. E kuptojmë që është një proces negociatash dhe ka elemente të konfidencialitetit. Por, duhet të ketë qartësim mbi bazat dhe vijat e trasha të këtij procesi, në mënyrë që edhe ne ta kuptojmë se çfarë është duke bërë Qeveria e Kosovës në këto bisedime”, tha Krasniqi.
Por, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që opinioni fare nuk e ka ditur se çfarë është biseduar në procesin e deritashëm të dialogut dhe kjo mostransparencë po vazhdon edhe pas rinisjes së dialogut më 16 korrik, sidomos për temën e të pagjeturve, për të cilën tashmë është duke u diskutuar.
Ai thotë se në vazhdmësi organizata e tij, krahas atyre të familjarëve të personave të pagjetur, ka theksuar nevojën e përfshirjes së kësaj teme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Shumë vonë, ndoshta para dy javësh, e kam kuptuar se në fakt është biseduar për temën e personave të zhdukur. Mirëpo, procesi ka qenë aq jotransparent, saqë ne nuk e kemi pasur idenë që është përmendur çështja e personave të zhdukur. Pra, edhe në të kaluarën transparenca nuk ka ekzistuar fare. Pra, ne kemi qenë në një terr informativ sa i përket temave që janë trajtuar në dialogun, qoftë në atë teknik dhe pastaj në atë politik, por edhe tash, si duket nuk është se ka ndryshuar kjo qasje e palës tonë. Për fat të keq, transparenca është thuajse zero”, tha Blakaj.
Ai shtoi se përveç faktit se po bisedohet për personat e pagjetur, nuk ka ndodnjë informacion më të detajuar se për çfarë është diskutuar, a kanë arritur ndonjë rezultat në dialog lidhur me këtë temë dhe si parashihet bashkëpunimi në këtë proces.
Organizatat e famljarëve të personave të pagjetur në Kosovë e kanë mirëpritur faktin që çështja e të pagjetur është temë diskutimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues i Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, thotë për Radion Evropa e Lirë që ende është e pasigurtë se cili do të jetë rezultati i bisedimeve për të pagjeturit në kuadër të dialogut në Bruksel. Por, ai shpreson që pala e Kosovës do të ketë në kuadër të saj specialistë të fushës përkatëse, në mënyrë që të nxirret një rezultat i dëshiruar.
“Këta (zyrtarët e qeverisë) nuk kanë biseduar me familjarët. Unë kam qenë në një konsultim me kryeminsitrin (Hoti). Jemi konsultuar dhe i kam thënë kryeministrit që jemi të gatshëm në çdo mënyrë që t’i ndihmojmë delegacionit në procesin e bisedimeve për personat e zhdukur. Tash, po shpresoj që gjatë rrugëtimit ose gjatë këtij procesi, do ta kenë një ekip specialistësh, të cilët janë marrë qe 20 vjet me këtë çështje”, theksoi Grajçevci.
Hoti: Është hartuar kapitulli për të pagjeturit
Megjithatë, në adresimine para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë të premten, më 24 korrik, se çështja e të pagjeturve është trajtuar me kërkesa dhe parime të qarta. Ai ka përmendur tri parimet kryesore. Parimi i parë, siç ka thënë ai, është që “në përputhje të plotë me Ligjin ndërkombëtar humanitar, të zgjidhet çështja e personave të pagjetur, përfshirë zbulimin e informacionit dhe ofrimin e të gjitha burimeve të nevojshme njerëzore dhe teknike për zgjidhjen e kësaj çështje.
Ndërkaq, parimi i dytë, sipas tij, është “sjellja e drejtësisë në vend”, si dhe parimi i tretë “është kërkesa për kujdesin e nevojshëm për familjet e viktimave, sipas standardeve ndërkombëtare”.
“Mbi këto parime të pajtuara më 16 korrik, të enjten në Bruksel është draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit. Kjo është e vërteta”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar që lidhur me këtë temë, “Kosova kërkon shpalosjen e informacionit të plotë për familjet e viktimave, sipas standardeve ndërkombëtare, nga arkivat e ish-Jugosllavisë, nga Ministria e Punëve të Brendshme të atëhershme, nga strukturat e mbrojtjes territoriale të atëhershme, nga trupat paramilitare dhe vullnetare, të cilat kanë vepruar në Kosovë, si dhe shpalosja e informacionit të plotë në lidhje me dyshimin për shpërndarjen e trupave në shkritore dhe në furra në Kosovë dhe Serbi”.
Marrëveshja për të pagjeturit, peng i vullnetit politik
Bekim Blakaj, vlerëson që parimet e përmendura nga kryeministri Hoti, janë të qëndrueshme dhe siç thotë ai, “në një botë ideale, palët do të duhej të merreshin vesh për të gjitha këto parime”. Por, ai ka shprehur drojën që këto parime nuk do të jetësohen. Megjithatë, siç thotë ai, në rast se marrëveshja arrihet përfundimtare dhe në kuadër të saj një ndër pikat është edhe zotimi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, atëherë do të duhej të krijoheshin mekanizmat monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes.
“Në qoftë se marrëveshja është juridikisht obliguese, duhet ta zbatojnë gjithsesi. Atëherë po besoj që së paku do të ketë një përparim, sepse edhe një herë do të ketë kthim të vëmendjes të institucioneve në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Askush nuk mund ta dijë nga ky moment nëse do të kemi një përparim të madh apo të vogël, mbetet të shihet. Mirëpo është e rëndësishme që kjo çështje të jetë në marrëveshje, sepse kjo pastaj na jep hapësirë edhe neve në shoqërinë civile që të bëjmë presion të vazhdueshëm në institucionet”, tha Blakaj.
Analistja Jeta Krasniqi, thotë se çështja e të pagjeturve mund të zgjidhet në kuadër të dialogut me Serbinë, në qoftë se ekziston vullneti politik për një gjë të tillë, gjë që deri më tash ka munguar.
Sipas saj, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së personave të pagjetur, kjo nuk nënkupton vetëm faktin që të dihet se ku janë ata persona dhe që familjarët e tyre të informohen apo të kenë mundësinë që t’i marrin eventualisht mbetjet mortore të tyre. Për më shumë, siç thotë ajo, çështja e të pagjeturve ndërlidhet drejtpërdrejtë me krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, e që mund të përbëjnë akte të gjenocidit.
“Për ato duhet të marrë dikush përgjegjësinë dhe kjo prandaj lidhet me vullnetin politik. Nëse ka gatishmëri për marrjen e përgjegjësisë, për vënien para drejtësisë të atyre që i kanë kryer këto krime, për të ndërtuar vërtetë raporte të paqes dhe të pajtimit, atëherë mund të kryhet si çështje. Por, është një çështje shumë e ndjeshme dhe duhet të kihet shumë kujdes mënyra se si trajtohet, pasi që nuk duhet që nëpërmes këtij procesi ne të shtojmë një peshë më të madhe ndaj familjarëve të të zhdukurve dhe t’ua shtojmë dhimbjen atyre, në vend se ta lehtësojmë atë dhe t’iu përgjigjemi kërkesave të tyre”, theksoi Krasniqi.
Kryeministri Hoti është kritikuar nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës se në takimin e 16 korrikut në Bruksel shkoi “pa platformë, pa ekip dhe pa agjendë”, si dhe “pa e ditur cakun, afatin, kohën” e zgjatjes së procesit.
Paralajmërimet se takimi i ekspertëve nga të dyja palët, i cili u mbajt më 23 korrik në Bruksel nënkupton rinisjen e dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe që u pasua më pas me dialogun në nivel politik – nuk është mirëpritur në Prishtinë.
Kundër rifillimit të dialogut teknik është shprehur presidenca e vendit, por po ashtu dy partitë e koalicionit qeverisës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate.
Por, Hoti ka përjashtuar mundësinë që dialogu të jetë teknik, duke theksuar se dialogu do të jetë krejtësisht politik.
Parandalohet një rast i kundërvajtjes doganore
Anisa ia kap flokët Xhenetës – përplasje e ashpër mes tyre
Kanada, Kryeministri Trudeau dënon protestat e dhunshme në M...
Sulmohet me raketa agjencia paqeruajtëse e OKB-së në Liban
Stuhi, reshje shiu dhe dëbore godasin Shtetet e Bashkuara
Mali i Zi “plotësisht gati” që ura mbi lumin Buna të përfund...