Google ADS

Rama i uron ditëlindjen ish-futbollistit të Kombëtares: Padyshim shqiptari më i suksesshëm në futbollin europian

10:55 | 25 Korrik 2020
Arbresh.info

Kryeministri Edi Rama i ka uruar ditëlindjen ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.

Në mesazhin e tij, Rama shprehet se Igli Tare është shqiptari më i suksesshëm në skenën e futbollit evropian, ndërkohë që shton se Presidentit Lotito i “ka rënë bixha” më të.

Mesazhi i plotë:

“EDHE100? IGLI TARE është padyshim shqiptari më i suksesshëm në skenën e futbollit europian. Më kujtohet shumë vite më parë silueta e tij, kur ne të Dinamos dilnim për vrap në ish-fushën e Aviacionit, ku bashkë me të vëllain Auronin, dy kalamajtë kolosë e “kokëlakër”, i nështroheshin stërvitjeve të pamëshirshme të të atit, mjeshtrit të sportit e dikur kolosit kampion të hedhjes së diskut, Isa Tare, i cili u kishte imponuar djemve një regjim stërvitjesh që do ta kishin zili edhe marinsat amerikanë.

Auroni arriti në skuadrën e parë të të kuqve të pathyeshëm që nën udhëheqjen Gaz Çaçit, vendosën diktaturën në parketin e basketbollit shqiptar për vite me radhë, ndërsa Igli pasi veshi fanellën e shpresave kuqezi, mori arratinë drejt Bundesligës, ku arriti të bënte emrin e tij, për t’u zhvendosur më pas në Serie A tek skuadra e Lazios.

Presidentit Lotito i ra bixha me kolosin shqiptar, që jashtë fushës së blertë spikaste me stofën e liderit dhe i besoi as më shumë e as më pak, po çelësin e zyrës së drejtorit teknik të armiqve të Romës.

Nën drejtimin e Igli Tares Lazio u kthye në një armatë mbresëlënëse, e cila ka një bilanc të pabesueshëm mes shpenzimeve shumë më të ulëta se sa klubet elitare të Serisë A dhe vendit që ka zënë në klubin e të mëdhenjve të futbollit italian.

Sot Igli është aseti më i kushtueshëm i Lazios dhe në ditën e tij të lindjes, i uroj të ketë edhe 100 vjet shëndet e sukses, duke uruar njëkohësisht që një ditë ta shoh në krye të Juventusit (jo të Milanit siç kam frikë se do ndodhë:-)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme