Nga: Ilri Deda
Nënshkrimi i MSA-së padyshim është një hap i rëndësishëm për Kosovën. Kjo është kontrata e parë e Kosovës me BE-në, dhe është zyrtarizim i marrëdhënieve kontraktuale. Me këtë MSA, që është më ndryshe nga MSA-të e tjera që BE i ka nënshkruar me shtetet Ballkanit Perëndimor, në radhë të parë krijohet asociacioni ekonomik i Kosovës dhe BE-së. Tregu i Kosovës liberalizohet për produkte nga BE-ja, ndërsa tregu i BE-së ka qenë i liberalizuar për produkte të Kosovës edhe më herët, ndërsa tani do të varet plotësisht prej aftësisë dhe cilësisë së prodhuesve vendorë që të jenë konkurrentë me prodhuesit evropianë dhe me cilësinë e produkteve.
Akti që Kosovës ia forcon subjektivitetin ndërkombëtar me këtë MSA është akti i nënshkrimit të sotëm, dhe ratifikimit të ardhshëm në Kuvendin e Kosovës. Sipas të drejtës ndërkombëtare, ekspertë të fushës me të cilët jam konsultuar, nënshkrimi i sotëm nga kryeministri i Kosovës dhe komisioneres për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së Mogherini – dhe komisionerit Han, kombinuar me ratifikimin e MSA-së në Kuvendin e Kosovës do të na paraqet de facto si shtet. D.m.th. kjo kontratë e BE-së me Kosovën do të shihet në mënyrë duale – për disa do të jetë kontratë e BE-së me shtetin e Kosovës, për të tjerët me territorin e pavarur Kosovo*.
Ajo që e bën këtë MSA më ndryshe është se në dokument në mënyrë eksplicite ceken dy gjëra: 1. Se me këtë MSA BE-ja në asnjë formë nuk e njeh Kosovën shtet, d.m.th. e konsideron si territor të pavarur; dhe 2. Kjo MSA e obligon Kosovën që në të ardhmen të mbetet e përkushtuar për dialogun me Serbinë dhe t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet “në mirëbesim”. Gjithashtu, kjo MSA e obligon BE-në dhe Kosovën të punojnë në “konsolidim dhe përafrim” ndërmjet BE-së dhe Kosovës, obligim ky i njëjtë për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa, dialogu politik BE-Kosovë që themelohet më këtë MSA në veçanti do ta promovojë pjesëmarrjen e Kosovës në “bashkësinë demokratike ndërkombëtare, nëse është e mundur nga rrethanat objektive” (shetësia e panjohur e Kosovës). Për shtetet e tjera të Ballkanit thuhej se MSA provomon “integrimin e plotë të tyre në bashkësinë ndërkombëtare”. Kjo MSA, apo pjesë të saj mund të suspendohen në çdo kohë nëse Kosova largohet nga dialogu me Serbinë .
Çka na duhet një kontratë tregtare që kushtëzohet me dialogun me Serbinë? Kjo është pyetje legjitime. Edhe Serbia do të kushtëzohet me dialog me Kosovën, nëpërmjet Kapitullit 35. Por, për dallim prej shteteve të tjera, MSA për Kosovën nuk e hap rrugëtimin tonë drejt BE-së sepse Kosova nuk mund të aplikojë për pozitën e shtetit kandidat në BE. Dhe, me rrethanat e sotshme kështu do të jetë derisa nuk na njohin edhe 5 shtetet e BE-së si shtet të pavarur. Dhe këtu është problemi kyç i marrëdhënieve BE-Kosovë, sepse ato tanimë janë bërë pjësë përbërëse e dialogut Kosovë-Serbi ku kyçet edhe pala e tretë BE-ja.
Gjatë viteve të fundit, është arritur një “pajtim në heshtje” se dialogu Kosovë-Serbi duhet të prodhojë një “end game”. Ky “end game” përbëhet nga këto pika – a) Kosova dhe Serbia do të ecin bashkarisht, por jo me ritëm të njëjtë,drejt BE-së varësisht prej përparimit të dialogut ndërmjet tyre; b) Kosova dhe Serbia do ta arrijë “marrëveshjen ligjërisht të obligueshme” për t’u nënshkuar në prag të anëtarësisë së plotë të Serbisë në BE, kurdo që të ndodhë kjo; c) Kosova bëhet shtet kandidat i BE-së, vetëm pasi që Serbia të ketë hyrë në BE. E ne mund të mbesim edhe në dhjetëvjetshin e ardhshëm me këtë MSA dhe në dialog për tema të njëjta me Serbinë.
(Ilir Deda është deputet në Kuvendin e Kosovës (LVV) dhe anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane.)
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...