Google ADS

MPB ndëshkoi policët që penguan punën e koleges Sekullovska

19:19 | 22 Korrik 2020
Arditë Shkodra

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë mirëpret vendimin e Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila gjeti veprime të paligjshme të pjesëtarëve të policisë që penguan gazetaren Biljana Sekullovska gjatë kryerjes së detyrave të saj profesionale.

Më datën 07.06.2020 rreth orës 19.00, gazetarja Biljana Sekullovska, redaktore në online mediumin www.novatv.mk, gjatë kryerjes së detyrave profesionale në teren, fotografoi një patrullë policie që kryente kontrolle gjatë orës policore. Edhe pse Sekullovska prezantoi veten dhe tregoi lejen për të lëvizur pa pengesa gjatë orës policore, policët i ndaluan që t’i gjirojë ata dhe iu kërcënuan se do ta padisnin sepse, sipas tyre, nuk është e lejuar të gjirohen pjesëtarët e policisë.

Pas kësaj ngjarje, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dërgoi një ankesë në Kontrollin e Brendshëm në MPB për pengimin e së drejtës së gazetarit për të raportuar nga hapësira publike për tema me interes publik. Gjithashtu, u kërkua që menjëherë të zhvillohet një procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë së policëve, dhe më pas të zhvillohet një procedurë disiplinore në të cilën do të përcaktohet nëse ai ka vepruar në përputhje me Ligjin për Polici dhe Kodin Etik të Policisë.

Sot u informuam se Kontrolli i Brendshëm ka gjetur veprime të paligjshme të punonjësve të policisë dhe se ata do të ndëshkohen përkatësisht. Përkujtojmë se bashkëpunimi midis policisë dhe gazetarëve ka një rëndësi të madhe dhe ai duhet të zhvillohet edhe më tej.

“Praktika e tillë parimore mund të ndihmojë në ndërtimin e një marrëdhënie profesionale midis kolegëve tanë dhe policisë,” tha Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, duke shtuar se ngjarjet negative duhet të shërbejnë si një shembull nga i cili mund të mësohet një mësim në mënyrë që të kuptohen më mirë kompetencat ligjore të policisë kur vepron në terren kundër gazetarëve.

U bëjmë thirrje anëtarëve të tjerë të SHGM-së nëse përballen me probleme të ngjashme në të ardhmen të mos hezitojnë të kontaktojnë zyrën e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, sepse ne ofrojmë ndihmë juridike falas për shkelje të tilla dhe të ngjashme të të drejtave të tyre.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme