Sulmuesi i Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang, raportohet se është gati të presë për transferimin në Barcelonë deri verën e ardhshme, kur i përfundon kontrata aktuale me klubin londinez.
Pierre-Emerick Aubameyang, i cili i shënoi dy gola për Topçinjtë në fitoren e së shtunës në gjysmëfinale të FA Cup kundër Manchester Cityt, e ka vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij në Emirates, transmeton Gazeta Express.
E përkundër që kontrata e tij do të skadojë verën e ardhshme, sulmuesi nga Gaboni nuk ka pranuar deri tani ta rinovojë kontratën me Topçinjtë, përkundër që trajneri Mikel Arteta është shprehur optimist.
Mediumi spanjoll Sport dhe ai britanik Sky Sport raportojnë se Aubameyangu është i gatshëm të presë deri vitin e ardhshëm për të kaluar në Barcelonë si transferim i lirë, nëse Barcelona nuk e transferon këtë verë Lautaro Martinezin nga Interi.
Aubameyangu e mban aktualisht shiritin e kapitenit në Arsenal dhe i ka shënuar 35 gola në 42 ndeshje të zhvilluara për Arsenalin këtë sezon.
Arteta e pranoi të hënën se e ardhmja e golashënuesit të tij më të mirë mbetet e paqartë ende, por që nga atëherë ka thënë se ai pret që të gjendet së shpejti një zgjidhje mes klubit dhe lojtarit për rinovimin e kontratës.
“Nuk e di, është e vështirë t’ia caktosh një datë kësaj”, tha Arteta, kur u pyet se kur është afati përfundimtar kur dy palët mund ta arrijnë një marrëveshje.
“Mua më pëlqen rrjedha e negociatave, më pëlqen ajo që po e dëgjoj. Jam i sigurt se për të dy palët do të jetë më mirë të arrihet marrëveshja sa më shpejt. Unë jam i bindur se ai do ta zgjasë qëndrimin e tij këtu”.
Kur u pyet se pse është kaq optimist se kapiteni aktual nuk do të largohet nga skuadra, Arteta tha: “Ai është i lumtur, në përgjithësi. Mendoj se po e shijon futbollin këtu. Është përshtatur mirë në Angli dhe edhe familja e tij është mirë këtu’.
“Mendoj se ai e kupton – ia kemi thënë edhe ne – se sa shumë na pëlqen ai neve dhe sa shumë e vlerësojmë. Mendoj se lidhja që ai e ka me tifozët është e veçantë. Besoj se ai është në vendin e përsosur për vete”.
“Të njëjtat gjëra i kam dëgjuar edhe nga ai dhe nga njerëzit përreth tij, kështu që nuk kam asnjë argument për të thënë diçka tjetër”.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...