Rekrutohet staf i ri mjekësor në QSUT dhe janë drejt përfundimit përgatitjet për hapjen e spitalit Covid-3.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar spitalin e përshtatur COVID3 (struktura e ish-kirurgjive në QSUT) ku aktualisht ka filluar rekrutimi i stafit infermieror, i cili po merr eksperiencë në spitalin Infektiv, për t’u përgatitur për një fluks të mundshëm të shtimit të rasteve, që do të kërkojë edhe hapjen e spitaleve COVID3 dhe COVID4.
“Jemi duke u përgatitur për të patur burime njerëzore të nevojshme për strukturën e spitalit COVID3, pra ish-kirurgjitë dhe për spitalin COVID4 që është në aksin Tiranë-Durrës. Ka filluar rekrutimi dhe trajnimi i stafit. QSUT-së i janë shtuar 50 punonjës, një pjesë tashmë janë rekrutuar dhe një pjesë janë në rekrutim e sipër. Do të kryejnë dhe trajnimet e nevojshme dhe do të kombinohen me stafe të tjera me eksperiencë”, tha Manastirliu, gjatë inspektimit të spitalit COVID3.
Ndërsa përgjegjësi për burimet njerëzore për situatën e epidemisë, prof. Arben Gjata u shpreh se:
“Kemi një plan të organizuar për përfshirjen që nga vullnetarët që kemi në listë, gjithashtu do të aktivizohen të gjithë stazhierët e disa specialiteteve, duke i kombinuar me mjekë me eksperiencë nga shërbime të tjera, në shërbimet për pacientët COVID”, tha prof. Gjata.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se po përgatitet plani i veprimit për vjeshtë-dimrin, bazuar mbi një strategji të qartë.
“Kemi një strategji të detajuar në raport me situatën që presim, pra për situatën e vjeshtë-dimrit. Dhe plani i detajuar, parashikon disa komponentë të rëndësishëm dhe fuqizimin e tyre. Duke filluar nga testimi, duke vijuar nga kapacitetet spitalore, duke vazhduar tek burimet njerëzore, të cilat janë aseti ynë më i çmuar. Ndaj jemi duke mundësuar që skuadrat e mjekëve dhe infermierëve të jenë të gatshëm që në momentin që do të duhet, t’I kemi gati dhe të jenë të trajnuar”, tha Manastirliu.
Manastirliu ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e rregullave.
“Kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë kujdes në përditshmëri me 3 masa të thjeshta: mbajtja e maskës, distanca dhe higjiena personale, të vetmet armë që kemi në dorë për ta luftuar këtë virus”, apeloi Manastirliu./TCH
Së paku 16 të lënduar pasi një raketë e hedhur prej Jemenit ...
Kosova e Shqipëria nënshkruajnë Marrëveshje për Sigurinë Ush...
Guardiola tregon se a do të përforcohen gjatë afatit kalimta...
Dështon “premtimi” për 30 autobusë të rinj në vitin 2024, sh...
Çfarë dihet deri më tani për sulmin në Magdeburg?
Në dy raste të ndara policia arreston dy persona për armëmba...