Kufiri tokësor me Greqinë i hapur vetëm në Kakavijë dhe Kapshticë

14:44 | 22 Korrik 2020
Arbresh.info

Policia e Shtetit sqaron qytetarët se sipas njoftimit zyrtar të bërë nga autoritetet policore greke, në zbatim të vendimit të qeverisë greke, kufiri tokësor me Greqinë do të jetë i hapur vetëm nga Pikat e Kalimit Kufirit Kakavijë dhe Kapshticë.

Ky njoftim vjen pas bllokimit të kufirit nga pala greke për rreth 8 orë, për shkak të mos rakordimit të sistemit PLF që është një aplikacion që plotësojnë shtetasit e huaj para se të hyjne në Greqi.

Gjithashtu, informohet se çdo shtetas shqiptar që do të udhëtojë drejt Greqisë, do të duhet të plotësojë një formular online.

‘Shtetasit shqiptarë e të huaj me leje qëndrimi greke, shtetasit grekë dhe minoritarët që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Greqisë duhet që brenda 48 orëve para udhëtimit të plotësojnë online formularin PFL (Passenger Locator Form) në adresën zyrtare në linkun: https://travel.gov.gr. Pas plotësimit të formularit online, secili qytetar do të marrë ne e-mail një konfirmim me një barcode, të cilin do ta paraqesë para autoriteteve në pikën hyrëse të kalimit në Greqi”, informon policia.

Në rast se një qytetar nuk disponon konfirmimin me barcode, nuk do të lejohet të kalojë kufirin.

Ndërkohë, testimi për COVID-19 do të kryhet me përzgjedhje algoritmike dhe shtetasit që do t’i nënshtrohen testimit do të izolohen në adresën e deklaruar prej tyre deri në daljen e rezultatit. Në rast se qytetari rezulton pozitiv me COVID-19 do të karantinohet për 14 ditë në adresën e deklaruar.

Lëvizja e automjeteve të transportit të mallrave vazhdon normalisht, si në hyrje edhe në dalje por edhe shoferët e kamionëve duhet të plotësojnë formularin online.

Ndërsa Pikat e Kalimit Kufitar Tre Urat Përmet dhe Qafë Botë Sarandë janë të mbyllura nga pala greke. Në këto pika nuk lejohet as lëvizja e shtetasve dhe as e automjeteve./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme