Adresimin e koronavirusit në legjislacion, Qeveria parasheh ta bëjë në fund të vitit të ardhshëm

07:16 | 22 Korrik 2020
Arbresh.info

Fundi i vitit të ardhshëm është parashikuar të jetë koha kur Kuvendi do të mund të miratojë ndryshimet në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, të cilat do të adresojnë nevojat e dëshmuara nga pandemia e COVID-19. Madje një veprim që ende nuk është ndërmarrë lidhur me këtë proces, afati kohor i realizimit i është përshkruar në 6 muajt e parë të këtij viti.

Bazuar në Koncept-dokumentin për sëmundje ngjitëse, i cili ka dalë në konsultim publik të hënën e kësaj jave dhe komentet për të do të priten vetëm deri të premten, miratimi i tij (koncept-dokumentit) do të bëhej në 3 muajt e parë të këtij viti. Finalizimi i Projektligjit për sëmundjet ngjitëse, në Qeveri është paraparë të bëhet në tre muajt e fundit të këtij viti, miratimi i tij në Qeveri në tre muajt e parë të vitit 2021 si dhe miratimi i tij në Kuvend tek në tre muajt e fundit të vitit 2021.

Hartimi i një Ligji të veçantë për menaxhimin e COVID-19 ishte sugjerim i Gjykatës Kushtetuese. Ajo në vendimin e datës 31 mars, kishte shpallur antikushtetuese masat e Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes së qytetarëve gjatë pandemisë dhe kishte konstatuar se Qeveria nuk mund të kufizojë asnjë të drejtë themelore të qytetarëve përmes vendimeve. Një gjë e tillë, sipas Kushtetueses, do të mund të bëhej vetëm nëse është e paraparë me një ligj të Kuvendit, raporton koha.

Qeveria e edhe Ministria e Shëndetësisë kishin paralajmëruar që menaxhimin e COVID-19 do ta adresonin në Koncept-dokumentin për sëmundje ngjitëse dhe nuk kanë dhënë përkrahje për Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, që është iniciuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe disa deputetë të tjerë. Tani kjo nismë ligjore është në procedurë të rregullt të shqyrtimit në Kuvend, pa përkrahjen e Qeverisë, e cila Projektligjin e ka konsideruar të panevojshëm. Partitë e pozitës në Kuvend nuk e kanë përkrahur që Projektligji të shqyrtohet në procedurë të përshpejtuar, prandaj për miratimin e tij duhen edhe rreth dy muaj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme