Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, me të cilin, pas takimit, mbajti një konferencë për media. Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se ndihet i nderuar për prezencën e Basha sot, të cilin e quajti “mik shumë të shtrenjtë”., transmeton arbresh.info.
“Unë sot isha i nderuar që bashkë me zëvendëskryeministrat dhe anëtarët e kabinetit të presim kryetarin e opozitës dhe mikun tim shumë të shtrenjtë, z. Lulzim Basha. Ndamë me të shqetësimet tona edhe për menaxhimin e situatës me COVID, edhe për çështjet e rimëkëmbjes ekonomike, dy prioritetet tona kryesore si Qeveri”, tha kryeministri Hoti, i cili njoftoi se e kishte informuar z. Basha në detaje për aktivitetet që po i bëjnë ekspertët shëndetësorë për menaxhimin e situatës me COVID, të cilën, fatmirësisht, ditëve të fundit kemi filluar ta sjellim nën kontroll.
Në fjalën e tij para mediave, kryeministri Hoti tha se e informoi kryetarin e PD-së, z. Basha edhe për aktivitetet që po i bëjmë për t’ju dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve, me një program të pasur të rimëkëmbjes ekonomike dhe për proceset e rëndësisë nacionale, siç është procesi i dialogut dhe proceset e tjera, nëpër të cilat po kalojmë si klasë politike në Kosovë dhe se ndau me të shqetësimet për këto procese.
“E falënderoj edhe një herë shumë për vizitën dhe për mbështetjen që gjithmonë e kemi pasur nga z. Basha personalisht në momente kyçe të shtetndërtimit të Kosovës, në funksione të ndryshme që ka pasur në Qeverinë shqiptare”, deklaroi kryeministri Hoti.
Ndërsa, lidhur me dialogun Kosovë–Serbi, kryeministri Hoti tha se ky proces ka filluar pas më shumë se 20 muajsh të bllokadës dhe se në ditët e para të qeverisjes sonë e kemi qartësuar platformën dhe qasjen tonë për procesin e dialogut dhe e kemi komunikuar me publikun, e kemi komunikuar me Kuvendin, me partitë opozitare me të gjithë.
“Është etabluar pozicioni i Republikës së Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar plotësisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kemi filluar me Samitin e Parisit dhe me video-konferencën të dielën e javës që shkoi dhe mandej takimin e fundit në Bruksel të enjten, për dy tema specifike, duke ditur gjithmonë se cili është synimi final i procesit të dialogut që është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Normalizimi i marrëdhënieve është derivat i njohjes reciproke. Çdo zgjidhje që ne e bëjmë në marrëveshjen finale për normalizim të marrëdhënieve duhet të jetë derivat i njohjes reciproke. Pra, si dy vende të pavarura se si i adresojnë çështjet që i kanë në mes tyre”, vijoi ai.
Siç e bëri të qartë kryeministri Hoti, dialogu është vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve dhe se të enjten është një takim tjetër në Bruksel, ku do të jetë prezent Koordinatori shtetëror për dialog, të cilin do ta emërojë së shpejti për të biseduar dhe për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke.
“Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces. Çdo koment tjetër që dëgjoni, unë besoj që ose nuk janë të informuar plotësisht, ose dëshirojnë vetë t’i shtrembërojnë gjërat ashtu se si dëshirojnë ata. Sot, unë kam dërguar ftesat për takimin e nesërm për Forumin e liderëve të partive politike, gjithashtu kam dërguar shkresë në Kuvendin e Kosovës për ta informuar Kuvendin për Samitin e Parisit dhe për të gjitha zhvillimet deri më tash në proces të dialogut. Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Por, dialog teknik nuk ka. Ka vetëm dialog politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, përfundoi kryeministri Hoti.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, e falënderoi kryeministrin Hoti për ftesën dhe për bashkëbisedimin shumë të hapur, miqësor dhe vëllazëror.
“Unë ndodhem gjithmonë me kënaqësinë shumë të madhe në Prishtinë që është në fakt edhe qyteti im i dytë pas Tiranës, jo vetëm për faktin se gjatë periudhës 2000-2004 kam jetuar, ka qenë shtëpia ime, por edhe sepse e bëtë të tillë me vendimmarrjen tuaj për të më shpallur Qytetar Nderi të Prishtinës, para disa vitesh”, u shpreh kryetari i PD-së, Basha.
Basha foli edhe për masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për ta menaxhuar sa më mirë pandeminë me COVID-19 duke thënë se me pakon ekonomike që është njoftuar në raport me prodhimin e brendshëm bruto të Kosovës me buxhetin e Kosovës, një paketë e tillë e vendos Kosovën në krye të vendeve të rajonit dhe përbën një shembull edhe për Shqipërinë ku situata është po kaq kritike.
Ndër të tjera, z. Basha e përgëzoi kryeministrin Hoti për lidershipin dhe rinisjen e dialogut me Serbinë në shinat dhe kornizën për të cilën ky dialog u konceptua duke shprehur mbështetjen tij të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë në këtë përqasje parimore që, siç tha ai, ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim, njohjen reciproke.
Po ashtu, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ritheksoi se, se pas zgjedhjes së tij si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, vendimi i parë që do të ndërmarrë do të jetë heqja e taksës dhe traut në “Rrugën e Kombit”.
“Ky është vendim i padrejtë që rëndon në ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë dhe ngadalëson shkëmbimin ekonomik dhe shanset për bashkërendim të faktorëve ekonomikë mes dy vendeve tona”, theksoi Basha./ arbresh.info/
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”