GLPS: Heshtja e Prokurorisë së Shtetit ndaj situatës afër bankrotimit të Telekomit të Kosovës është tregues i kapjes kriminale

13:40 | 20 Korrik 2020
Arbresh.info

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka komentuar mosreagimin nga Prokuroria e Shtetit ndaj zhvillimeve të fundit në Telekomin e Kosovës.

Në reagimin e GLPS-së është kërkuar nga kryeprokurori, Aleksandër Lumez të reagoj për këtë rast dhe përgjegjësit të vihet para drejtësisë, shkruan arbresh.info.

Gjithashtu është vlerësuar si e papranueshëm heshtja e Kuvendit të Kosovës.

Më poshtë mund të gjeni të plotë reagimin.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me situatën pranë bankrotimit të Telekomit të Kosovës, dikur ndërmarrja më profitabile publike. Edhe pse sektori i telekomunikimit ka shënuar rritje të vazhdueshme dhe stabile të profitit në tërë shtetet evropiane, si në rastet e kapitalit privat ashtu edhe atij publik, Telekomi i Kosovës së fundmi është sjellur afër bankrotimit, ndër të tjera, nga zbatimi i një vendimi arbitrazhi të operatorit Zmobile (e më herët, Dardafone.net) në dëm të Telekomit. GLPS në vazhdimësi ka vlerësuar që nënshkrimi i atëhershëm i kontratës ndërmjet PTK dhe Dardafone.net (viti 2009) kishte qëllim të qartë degradimin financiar e tregtar të kompanisë publike Telekomi i Kosovës, dhe një gjë e tillë u pa katërcipërisht nga mënyra e fitimit dhe vëllimi i shfrytëzimit që i bëhej asetit publik nga një operator privat ndër vite. Në këtë situatë, ndodhemi para paradoksit kur, në vend se të kërkohet përgjegjësi penale për shkaktarët e lidhjes, vazhdimit dhe shfrytëzimit të benefiteve nga kontrata ndërmjet PTK dhe Dardafone.net, Telekomi i Kosovës i duhet të paguaj një dëm të vendosur nga një proces arbitrazhi në vlerë prej 24 milione EUR operatorit privat Zmobile.

GLPS vlerëson që një gjendje e tillë është pikë së pari reflektim i dështimit të qëllimshëm të Prokurorit të Shtetit. E pyesim Kryeprokurorin Lumezi se cfarë duhet t’i bëjnë më tepër një aseti publik sikur Telekomi i Kosovës që Prokuroria Publike të hetoj dhe vëj para përgjegjësisë penale të gjithë shkaktarët që e sollën këtë gjendje, prej ministrave të atëhershëm e gjerë më sot, e gjithashtu menaxhmenteve respektive të Telekomit të Kosovës? Si është e mundur që Telekomi në vend se të jetë ndërmarrja më e suksesshme publike për shkak të statusit të saj në treg, ajo vendoset në një situatë bankrotimi, e ku Prokurori i Shtetit hesht sikur interesi publik i sanksionuar me legjislacionin penal të mos ekzistonte? Si është e mundshme që zhvatja e aseteve publike të ndodh kaq tmerrshëm, e institucionet publike të bëjnë sikur nuk ka autorë ndaj kësaj gjendjeje?

Prandaj, i kërkojmë Prokurorit të Shtetit që të nis një proces hetimi ndaj të gjithë atyre që kontribuan në lidhjen, zbatimin dhe mosveprimin e parandalimit të kontratës së vitit 2009; ndaj të gjithë atyre që lejuan zhvatjen e një aseti publik sikur Telekomi i Kosovës, dhe që e sollën atë në një gjendje para bankrotimit. I kërkojmë Qeverisë, dhe Kryeministrit Hoti, që në vend se të merret me planet e privatizimit të pjesshëm, të kontriboj fillimisht në një proces penal të ndëshkimit për ata që e sollën këtë gjendje. I kërkojmë gjithashtu Ministrit të Ekonomisë që të qartësoj pozicionin e aksionarit ndaj kësaj gjendje të shkaktuar me pasoja penale, në vend se të premtoj kinse negocime të reja me kompaninë Zmobile.

Për fund, GLPS vlerëson që është i papranueshëm heshtja e Kuvendit të Kosovës ndaj situatës në Telekomin e Kosovës. Një komision hetimor mbi këtë gjendje është i domosdoshëm, kurse cdo proces potencial i ristrukturimit të Telekomit të Kosovës duhet t’i nënshtrohet një miratimi parlamentar. Cdo qytetar i Kosovës ka të drejtën të dij se si u zhbë paraja publike në këtë formë në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës, prandaj transparenca e plotë mbi të kaluarën dhe të tashmën është e domosdoshme”, thuhet në reagim.

Ndryshe arbresh.info kishte raportuar ekskluzivisht për bllokimin e llogarive bankare të ndërmarrjes publike, Telekomi i Kosovës./arbresh.info/

 

EKSKLUZIVE- Bllokohen llogaritë e Telekomit të Kosovës, rrezikohet me falimentim

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme