Pas izolimit shumë pak turistë të huaj vizitojnë Shqipërinë

20:33 | 19 Korrik 2020
Arbresh.info

Edhe pse pandemia e ka ulur ndjeshëm numrin e turistëve të huaj këtë sezon turistik, ata nuk mungojnë në plazhin e madh të Durrësit.

Në hotelet e shumta përgjatë bregdetit të Adriatikut gjen polakë, italianë, emiratas, anglezë etj. Disa kanë ardhur me Charter e të tjerë privatisht.

Silvia Hornok është hungareze dhe po shijon pushimet familjarisht në Durrës. Pushimet i kishin planifikuar më parë dhe pandemia nuk ndikoi për t’i anuluar.

”Pandemia është një problem botëror. Nuk ka rëndësi ku pushon në Hungari apo në Shqipëri. Është situatë e ngjashme dhe ndjehemi të sigurt këtu. Çdo gjë është e sterilizuar dhe asnjë nga familja nuk e ndjen pasigurinë. Kur dalim jashtë hotelit ruajmë distancat dhe jemi mirë”, shprehet Silvia.

Edhe arkitekti i mirënjohur kosovar Përparim Rama ka ardhur nga Londra dhe po pushon familjarisht në Durrës.

”Edhe pse kam një vilë timen në Dhërmi, vendosa të pushoj disa ditë në Durrës me familjen, sepse plazhi është fantastik. I përshtatshëm për fëmijë dhe këtu në hotel mundësitë janë shumë të mira. Po kalojmë një kohë fantastike me familjen. Jemi shumë persona.”

Në aspektin profesional, Rama shprehet se i vlerëson zhvillimet që mundësojnë kushtet për një turizëm të qëndrueshëm në Shqipëri.

”Shpresoj që të mësojmë nga gabimet dhe brenda një kohe të shkurtër t’i përmirësojmë. Me planet e reja urbanistike gjërat mund të ndryshojnë pozitivisht. Duhen kushtet bazike për turistë dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë mrekulli natyrore që Shqipëria e ka që të krijojmë një turizëm më të lartë.”

Ndërsa në Vlorë gjejmë këtë fundjavë grupin e parë prej 20 turistësh polake. Ata po vizitojnë kalanë e Kaninës. Mbërritja e këtyre turistëve në Vlorë u jep shpresë bizneseve të prekura nga izolimi në një sezon turistik që nisi me vonesë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme