Kosova dhe Serbia ripërtërinë bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre pas një pezullimi 20 muajsh të tyre, me pajtimin që të vazhdojnë në shtator.
Të enjten kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i dhanë fund takimit të parë ballë për ballë në të cilin diskutuan për çështjen e të zhdukurve dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa nga java që vjen takimet do të mbahen në nivel të grupeve teknike.
Analisti Agon Maliqi, tha për Zërin e Amerikës se rifillimi i bisedimeve po ndodhë në një periudhë paqartësie dhe pasigurie të madhe për Kosovën. Ai thotë se paqëndrueshmëria brenda Kosovës dhe dëshira e Serbisë që bisedimet të dështojnë e bëjnë të dyshimtë mundësinë e suksesit të procesit.
“Ajo që mund të bëhet është ndoshta që disa ekipe teknike mund të përgatisin material, mund të diskutojnë teknikisht, por politikisht ky është një proces pa fuqi dhe pa motor. Do të thotë, kryeministri Hoti mund ta ketë formalisht mandatin dhe legjitimitetin, mirëpo nuk e ka atë peshën politike të nevojshme brenda vetës gjë që e dobëson jo vetëm pozitën e Kosovës por edhe e lejon dhe i jep hapësirë Serbisë për të provokuar për t’u munduar që sërish ta kthejë Kosovën si fajtore për dështimin. Synimi kryesor i Serbisë është që procesi të dështoë dhe mundësisht të dështojë për faj të Kosovës dhe Kosova është vendosur në një pozitë ku e ka jashtëzakonisht të vështirë të vazhdojë dhe ta ndërtojë atë konsensusin, kështu që rreziku është që sërish të vendosemi përballë një pozite ku gjërat dështojnë edhe për shkak të neve”, tha zoti Maliqi.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se aktualisht duhet të ketë një sqarim rreth procesit të bisedimeve pasi që, sipas saj, ka shumë paqartësi posaçërisht brenda vendit.
“Kjo pasi që Kosova ka një qeveri që ka shumicë të brishtë dhe ende zhvillimet politike në vend pritet të zhvillohen në ditët, javët dhe muajt në vazhdim. Paralajmërimi i dhomave të specializuara të prokurorisë speciale për një akuzë e cila mund të konfirmohet ose jo nga gjykata, mund të ndikojnë në zhvillimet politike në vend që ndikojnë drejtpërdrejt edhe në zhvillimet qoftë të brendshme apo ndërkombëtare me të cilat merret Kosova”, tha ajo.
Takimi i fundit në Bruksel ishte mbajtur më 8 nëntor të vitit 2018 ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandër Vuçiç. Por, bisedimet u pezulluan pasi që qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Tri qeveri në Kosovë janë përballur me trysninë për heqjen e pengesave për rifillim bisedimesh dhe kjo u bë e mundur në fillim të muajit qershor kur qeveria e re e kryeministrit Hoti hoqi të gjitha pengesat.
Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.
Por, sa do të mund të arrihet një marrëveshje pa përfshirjen e presidentin Thaçi?
“Ajo që duket pak si qartë është që nëse zoti Thaçi vendos që ta sabotojë procesin, mendoj se i ka mekanizmat dhe fuqinë për ta bërë këtë. Tani nuk mund të spekulojmë nëse zoti Thaçi do ta bëjë këtë gjë, mirëpo mekanizmat dhe fuqinë besoj mund ta ketë, duke pasur parasysh brishtësinë e numrave të koalicionit kështu që duket e vështirë, por gjithsesi varet nga konstruktiviteti i PDK-së në këtë moment dhe ajo është pak spekulative se çfarë lloj qëndrime do të mbajë”, tha zoti Maliqi.
“Ne e dimë që faza përfundimtare ka filluar me zotin Thaçi në 2017, e dimë që qeveria e Kosovës ka mandatin edhe në bazë të Kushtetutës për ta udhëhequr këtë proces në konsultim me presidentin dhe mbikëqyrje të Kuvendit, por duke ditur që është një proces i nivelit të lartë shtetëror kërkon një bashkërendim por edhe një mbështetje politike. Pa u arritur kjo mbështetje politike është e vështirë që të arrihet deri te një marrëveshje e cila më pas do të mund të shtyhej në Kosovë apo që do të mund ta pranojë edhe nga publiku”, tha zonja Krasniqi.
Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh, një pjesë e madhe e të cilave nuk janë zbatuar kurrë.
Zeqiri: Një shoqëri e mire është kur të gjithë kanë qasje të...
Osmani takohet me ministrin kolumbian, theksohet rëndësia e ...
Ukraina thotë se Rusia e ka sulmuar me afër 200 dronë
61-vjeçarja nga Shkupi sjell në jetë fëmijën e saj të parë
Ambasadori i Zvicrës: Qeveria e Kosovës ka marr hapa të mëdh...
Tentuan të grabisin një market në Ferizaj, arrestohen dy të ...