72 talebanë të vrarë gjatë operacioneve

16:53 | 17 Korrik 2020
Arbresh.info

Derisa dhuna rritet në të gjithë vendin, forcat afgane të sigurisë sot theksuan se së paku 72 militantë talebanë, përfshirë katër komandantë të lartë janë vrarë gjatë operacioneve në tre provinca, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, Ushtria Kombëtare e Afganistanit gjatë 24 orëve të fundit tha se 32 kryengritës të tjerë u plagosën në sulmet tokësore dhe ajrore në provincat veriore Balkh, Faryab dhe Sar-i-Pul.

Në fillim të kësaj jave, së paku 36 pjesëtarë të personelit të sigurisë u vranë dhe mbi 60 të tjerë u plagosën në pjesët veriore të vendit në mesin e rritjes së sulmeve të pretenduara nga talebanët.

Talebanët të dielën hodhën poshtë të gjitha thirrjet për armëpushim nga ana e qeverisë afgane dhe bashkësisë ndërkombëtare duke thënë se ende duhet të gjejnë “alternativë” të rebelimit të tanishëm.

Në një seri postimesh në Twitter, zëdhënësi i talebanëve, Zabiullah Mujahid tha se zbatimi i Marrëveshjes së Doha-s me SHBA-të dhe fillimi i bisedimeve brenda-afgane janë të nevojshme për t’i dhënë fund dhunës.

Disa ditë para kësaj, presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani paralajmëroi se procesi i paqes mund të përballet me “sfida serioze” nëse talebanët vazhdojnë sulmet e tyre.

Sipas shifrave të fundit nga Komisioni i Pavarur i të Drejtave të Njeriut në Afganistan, 1.213 civilë janë vrarë ndërsa 1.744 janë plagosur në 880 incidente të sigurisë në gjashtë muajt e parë të vitit 2020.

Shifrat tregojnë se rreth 16 civilë janë vrarë ose plagosur çdo ditë në Afganistan këtë vit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme