Google ADS

Drejtori i Dortmundit: City nuk duhet të festojë, ishte ditë e errët për futbollin

15:03 | 17 Korrik 2020
A. B.

Drejtori ekzekutiv i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, beson se Manchester City nuk do të duhej ta festonte vendimin e CAS-it për t’ia shfuqizuar dënimin, pasi që tha se ky vendim do të ketë ndikim të keq.

Manchester City do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka shfuqizuar dënimin me dy vjet pezullim nga futbolli evropian për klubin anglez.

UEFA e dënoi Man Cityn me dy vjet pezullim nga garat evropiane në shkurt të këtij viti, për shkelje të rënda të rregullave për ndershmëri financiare (FFP). Klubi i Premierligës i pati mohuar akuzat në mënyrë të vazhdueshme dhe të ashpër dhe muajin e kaluar vendosi të ankohej ndaj dënimit në CAS.

Pas një seance dëgjimore që zgjati tri ditë në muajin qershor, CAS-i ka vendosur tani që t’ia heqë dënimin të kaltërve. Kjo nënkupton se City do të jetë i lirë të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa, dënimi me gjobë prej 30 milionë euro i është ulur në 10 milionë euro.

Ky vendim solli pakënaqësi të shumta në botën e futbollit, së fundi edhe nga drejtori ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, i cili e quajti ditën e hënë, kur u mor vendimi, ditë të errët për futbollin.

“Në përgjithësi, nuk ishte një ditë e mirë për futbollin. Është një hap prapa për UEFA-n. Unë do ta këshilloja Manchester Cityn t’i ndalë festimet”, ka thënë Watzke.

“Nëse ju e lexoni arsyetimin e atij vendimi, ju do ta kuptoni se vetëm dëshmitë e ofruara nuk ishin të mjaftueshme. Në fakt, festimet duhet të ishin të ndaluara”. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme