Google ADS

Ministri i Ekonomisë premton zgjidhje pas bllokimit të llogarive bankare të Telekomit të Kosovës

13:46 | 16 Korrik 2020
Arbresh.info

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka pritur sot në takim informues dhe raportues Bordin, Menaxhmentin dhe Sindikatën e Telekomit të Kosovës.

Në komunikatën e ministrisë thuhet se ministri Kuçi u zotua për do të bëhet zgjidhja më e mirë, shkruan arbresh.info.

“Tema bosht e diskutimit ishte gjendja e krijuar së fundi në Telekomin e Kosovës, pas bllokimit të xhirollogarive bankare nga përmbaruesi privat.

Ministri Kuçi kërkoi nga drejtuesit e organeve të Telekomit që të raportojnë në tërësi për rrjedhën e këtij rasti dhe hapat që janë ndjekur në secilën fazë. Gjithashtu, nga menaxhmenti u kërkua të raportohet për performancën e tanishme të kësaj ndërmarrje publike.

Përpos diskutimit, ministri kërkoi nga Bordi i Ndërmarrjes që të propozojnë rekomandime për dalje nga gjendja e bllokimit të xhirollogarive bankare dhe vazhdimit tutje të funksionimit të ndërmarrjes.

Ndërsa, Sindikatës së Telekomit iu tha se bashkëndjejmë me punëtorët, të cilët janë të shqetësuar për situatën, pikërisht në këtë kohë pandemie.

Ministri Kuçi përsëri u zotua se me të gjitha mundësitë ekzistuese do të bëhet zgjidhja më e mirë.

Për këtë arsye është anuluar edhe agjenda e rregullt e sotme e ministrit Kuçi”, thuhet në komunikatë.

arbresh.info mëngjesin e sotëm ka raportuar për këtë takim.

Pas takimit kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, pas takimit ka thënë për arbresh.info se kanë marrë premtim për zhbllokim të llogarive të Telekomit.

“Ka qenë takim i frytshëm. Ministri gjatë ditës dhe qeveria do të bëjnë të pamundurën për zhbllokimin e llogarive. Kemi nda mendimet e njëjta, që sa më parë të lirohen xhirollogaritë, gjatës ditës dhe këto dy ditë ministri do të bëjë të pa mundurën”, është shprehur Balaj,

Balaj beson se do të bëhet një zgjidhje, por në të kundërtën paralajmëron protesta.

“Ministri ka qenë bashkëpunues dhe i shqetësuar , dhe të gjithë e dinë se Telekomi nuk është market që mundesh me mbyll edhe me e mbush me mall, e me hapë.  Sindikata asnjëherë nuk ka qenë më e gatshme të dalë në rrugë, dhe nuk dihet ku do të na tregojnë këto protesta, ma mirë me na myt Covidi se një kompani”, është shprehur Balaj./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme