Gjykata Speciale së fundmi me publikimin e aktakuzave ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli ka irrituar tej mase njerëzit në Kosovë.
Njohës të çështjeve të drejtësisë, politikanë dhe aktivistë kanë konstatuar shumë shpesh se kjo gjykatë është e padrejtë dhe se e njëjta ka qasje të njëanshme në gjykimin e krimeve të luftës.
Një gjë të tillë e ka konstatuar edhe avokati i Popullit, Hilmi Jashari në një intervistë dhënë për Televizionin Publik javë më parë.
Jashari thotë se efektet e Dhomave të Specializuara për Kosovën nuk janë të barabarta. Më tutje ai ndër të tjera shprehet se është dobësia e sistemit gjyqësor të Kosovës ajo që ka bërë që tani kjo gjykatë t’i ndjekë këto krime të luftës.
“Sistemi që është krijuar në Dhomat e Specializuara dhe efektet që mund t’i ketë për Kosovën është i pabarabartë në relacion me krimet që janë kryer në Kosovë. Kosova është tashmë e ditur se është mbrojtur nga organizatat ndërkombëtare sepse është kërcënuar me shkatërrim të qenies kombëtare. Është mëse e vërtetë që një kohë kemi pasur sistem gjyqësor të organizuar nga ndërkombëtarët, mirëpo të cilët kanë konstatuar se nuk ka pasur sistem efektiv gjyqësor në Kosovë. Kemi ardhur në konstatim se as nuk ka pasur hetime efektive, tani një quazi-tribunal do të merret me këto krime të pretenduara.”, ka thënë Jashari.
E shfuqizimin e Speciales që nga fillimi e kanë kërkuar Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nasim Haradinaj, nënkryetar i kësaj organizate për lajmi.net është shprehur se gjithmonë ka pasur arsye për shfuqizimin e saj.
“Unë mendoj që arsye për shfuqizimin e saj ka pasur çdoherë sikur të ekzistonte vullneti qytetar dhe pavarësia qytetare e të kishin guxim ta shfrytëzonin votën e tyre por ata janë vartës të liderëve të tyre. Ne kemi tentuar edhe me peticion por për hir të inateve partiake nuk e votuan. Ne çdo herë do të punojmë për shfuqizimin ose për plotësim-ndryshimin e ligjit dhe të ndjeken të gjitha ligjet. OVL e UÇK-së e ka përsëritur shpesh, nuk jemi kundër zbulimit të krimeve nëse ato janë, por jemi edhe për zbulimet e krimeve që ka bërë Serbia dhe çdo kush.”, tha Haradinaj.
Më tutje, ai është shprehur se OVL e UÇK-së është kundër Gjykatës Speciale ngase e konsideron raciste dhe diskriminuese, e gjithashtu shprehet se Kosova i ka dhënë të drejta të shumta kësaj gjykate.
“Jemi kundër Gjykatës sepse është raciste dhe diskriminuese në raport me ne. Nëse e shohim kështu vetëm një gjykatë është bërë për këtë luftë dhe ajo është bërë për Kosovën dhe jo për Serbinë. Këtë të drejtë të Gjykatës e kemi marrë në paketë, është 10 ose 12 persona të Gjykatës në Hagë e kanë të drejtën dhe fuqinë e sa 2/3 e parlamentit për ndryshimin e plotësimin e neneve të Kushtetutës tanë që është e drejtë e vetëm parlamentit tanë”, tha Haradinaj.
Haradinaj ka thënë gjithashtu se minimumi që mund të ndodh me këtë gjykatë është të ndodh plotësim-ndryshimi i ligjit, por nëse kjo nuk mund të ndodh atëherë Specialja duhet të zhbëhet.
“Ne kemi humbur edhe të drejtën ose iu kemi dhënë fuqinë e parlamentit tanë një shtetit të huaj. Minimumi kërkojmë të plotësohet dhe ndryshohet ligji por nëse kjo nuk bëhet atëherë le të shfuqizohet. Është anakronike, juridikisht është anakronike që vrasjet 2001-2002 nuk mund t’i quash vrasje të luftës sepse nuk ka pasur luftë në këtë kohë. Pas shtatorit të vitit 1999 nuk ka pasur luftë.”, tha në fund ai.
E avokati i akredituar nga Specialja, Tomë Gashi shprehet se Kuvendi i Kosovës nuk mund ta shfuqizojë, as t’ia përfundojë e as t’ia vazhdojë mandatin Gjykatës Speciale.
“Fatkeqësisht deputetët e Kuvendit të Kosovës në 2015 kur e kanë votuar Gjykatën Speciale, kanë votuar që organet kompetente të Bashkimit Evropian të vendosin kur do t’i përfundojë punët. Nuk ka kurrfarë mundësie, as t’i vazhdohet e as t’i ndërprehet.”, tha Gashi për lajmi.net.
I pyetur lidhur me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Specialen, ai thotë se kjo nuk është kompetencë e Kuvendit të Kosovës.
“Mund të ketë nisma të tilla, por ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale e që nuk është më kompetencë e Kuvendit të Kosovës është gjë e vështirë. Varet krejtësisht nga Gjykata kur do t’i kryej punët e veta. Deri më tani i kemi dy aktakuza, njëra ka qenë në shkurt, dhe tjetra kundër presidentit Thaçi dhe z.Veseli.”, tha Gashi në fund.
Ndërkohë kur Gjykata Speciale po vazhdon ditë pas dite ftesat për ish-ushtarët e UÇK-së, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tash e tri ditë rresht është intervistuar në Dhomat e Specializuara të Prokurorisë Speciale pranë Gjykatës Speciale në Hagë.
Në anën tjetër, publikimi i aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit është vlerësuar në kundërshtim me të gjitha rregullat e brendshme të Gjykatës Speciale dhe rast i paprecedent në procedurat juridike.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...