Maqedoni: Mbi 38 për qind deri në orën 17:00 dalja në votime

19:37 | 15 Korrik 2020
Arbresh.info

Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është në rritje. Pavarësisht kësaj, tash e tre ditë, qytetarët po votojnë për zgjedhjet parlamentare të parakohshme.

Më 13 korrik, votuan të prekurit nga koronavirusi, më 14 korrik të sëmurët, të moshuarit e të burgosurit, transmeton KOHA.

Ndërkaq, votimet e përgjithshme u mbajtën të mërkurën, ku të gjithë qytetarët u obliguan të mbajnë maska e distancë sociale.

Vendvotimet u hapën në orën 7 të mëngjesit, e deri në orën 17, numri i pjesëmarrjes ishte rreth 39 %.

Gjatë ditës votuan edhe udhëheqësit e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, tha se pret të ketë një fitore absolute.

Sipas Ziadin Selës, pjesa shqiptare e pushtetit ka ushtruar presion mbi qytetarët.

Ndërkaq, Bilall Kasumi, kryetar i Lëvizjes BESA, bëri thirrje për zgjedhje të drejta e demokratike.

Ndërsa, Menduh Thaçi i Partisë Demokratike të Shqiptarëve tha se ka vështirësi për të dalë e për të votuar.

Votimet po zhvillohen në gjashtë njësi dhe në secilën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë apo në total 120, sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Në garë janë 15 parti politike dhe koalicione.

Vendvotimet pritet të mbyllen në orën 21.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme