Google ADS

Turqia: Afresket në Ajasofja nuk do të pengojnë namazin

20:18 | 14 Korrik 2020
Arbresh.info

Kryesia e Çështjeve Fetare (Dijanet) e Turqisë, organi i lartë fetar i vendit, tha se afresket në Ajasofja nuk do të pengojnë namazin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Monumenti ikonik u ndërtua për herë të parë si kishë në periudhën bizantine. Ajo ka mozaikë të krishterë, duke përfshirë një nga Virgjëresha Mari dhe Foshnja Jezus (Hz. Merjem dhe Hz. Isa) në sallën e saj kryesore. Ajo u bë xhami pasi Sulltan Mehmed Fatihu çliroi Stambollin në vitin 1453.

Të premten, gjykata e lartë administrative e Turqisë anuloi një dekret të kabinetit qeveritar të vitit 1934 që e kishte shndërruar Ajasofjen në muze, duke i hapur rrugën përdorimit të saj përsëri si xhami pas 85 vjetësh.

Administrimi i xhamisë iu dha Kryesisë së Çështjeve Fetare.

“Hapja e Ajasofjes si xhami u prit me kënaqësi të madhe nga njerëzit tanë dhe e gjithë bota myslimane. Myslimanët gjithmonë do t’i vlerësojnë ata që e realizuan këtë”, tha Dijaneti në një deklaratë.

“Pikturat, afresket në Ajasofja nuk janë pengesë për t’u falur atje. Në mënyrë që myslimanët të falen pa brenga, këto afreske duhet të mbulohen me perde ose të errësohen me ndihmën e dritave të zeza”, thuhet në deklaratë.

Ajasofja do të jetë e hapur për vizitorët, përveç kohërave për namaz, sepse ajo ka një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe kulturore për gjithë botën, theksohet më tej.

Do të sigurohet që vizitorët të hyjnë në Ajasofja të veshur siç duhet, duke marrë parasysh se do të jetë një vend adhurimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme