Google ADS

Presidenti Thaçi, tregon për çfarë u pyet nga prokurorët e  Dhomave të Specializuara

19:58 | 13 Korrik 2020
L G

Pas intervistimit disa orësh  nga prokurorët e Specializuar pranë Dhomave të Specializuara në Hagë,  Presidenti i Republikës së  Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë detaje rreth asaj se për çfarë është pyetur gjatë këtij intervistimi.

Thaçi, tha se sot ishte pyetur më shumë rreth çështjeve teknike dhe UCK-së, raporton arbresh.info.

“Unë sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknaliteteve të ndryshme mes avokatit tim dhe Prokurorëve, disa çështje sqaruese teknike, e në të njëjtën kohë ato fillestare të interesimit të prokurorëve për  Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kështu që intervistimi do të vazhdoj nesër”, u shpreh Thaçi.

Ai, bëri të ditur se intervistomi i tij do të vazhdoj edhe nesër.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ua ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim nga Gjykata, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat vrasje, zhdukje e detyruar të personave, përndjekje dhe tortura.

Prokurori i Specializuar pretendon se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës, si dhe kundërshtarë politikë.

Në një deklaratë për shtyp, Prokurori i Specializuar kishte thënë se aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.

Prokurori i Specializuar e kishte vlerësuar të domosdoshme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat për shkak të, siç thuhet, përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme