Gostivar, qytetarët ankohen për helmim masiv

16:43 | 13 Korrik 2020
Arbresh.info

Sanimi i situatës së krijuar me deponinë Rusino pas zjarrit masiv do të zgjasë disa ditë. Krahas makinerisë së angazhuar nga ana e komunës së Gostivarit në pastrimin e deponisë respektivisht të mbetjeve nga zjarri është kyçur edhe drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim.

“Kemi angazhuar 4 kamion dhe katër ekskavator dhe ata do të qëndrojnë deri në pastrimin e tërësishëm të deponisë” thonë nga drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim ne Gostivar. Nga hetimet e kryera ditëve të fundit është konstatuar se ende del tym në këtë deponi por situata shkon drejt përmirësimit, prandaj edhe makineria do të qëndrojë të paktën 5 ditë.

“Sipas vlerësimeve tona aty do të duhet që makineria të qëndrojë 5 ditë por nëse ka nevojë mund të qëndrojë edhe më shumë derisa të sanohet tërë situata sepse kemi të bëjmë me një hapësirë të madhe. Kemi mbikëqyrë gjendjen dhe ende në disa vende del tym prandaj pastrimi mund të merr edhe më shumë kohë” pohojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Shuarja e zjarrit nuk bëhet me ujë por hapësirat e përfshira mbulohen me dhe(truall).Për shkak të kësaj situate banorët e Gostivarit kanë ngritur iniciativë për të bllokuar rrugën që çon në këtë deponi por kjo do të ndodh pas zgjedhjeve. Lidhur me gjendjen e krijuar në këtë deponi ditë më parë reagoi edhe lëvizja Eco Guerilla.

Organizata joqeveritare “Eco Guerilla” thekson se më shumë se 15 vite Qeveria e Maqedonisë së Veriut premton zgjidhje për problemin me menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Pollogut, por ky problem ka mbetur i pa zgjidhur.

“Çmimin e këtij dështimi këto ditë e paguajnë qytetarët e Gostivarit, të cilët në kohë pandemie janë të detyruar të thithin ajër të ndotur, shkaku i zjarrit që digjet në deponinë rajonale Rusino, në afërsi të Gostivarit. Qytetarët me të drejtë ankohen për helmimin masiv që bëhet nga paaftësia e qeverisë për të zgjidhur këtë problem të vjetër”, shprehen nga “Eco Guerilla”.

Ata shtojnë se kërkesa e qytetarëve për t’u organizuar për mbrojtje nga ky helmim është e drejtë dhe legjitime, dhe “Eco Guerilla” i mbështet plotësisht që të veprojnë në pajtueshmëri me ligjet dhe të drejtat e qytetarëve për organizim, duke respektuar masat për mbrojtje personale gjatë pandemisë. Poashtu lëvizja qytetare “Stop Rusino, Duam ajër të pastër për Gostivarin” organizoi një marsh protestues nga qyteti i Gostivarit e deri tek deponia Rusino. Aktivistët kanë kërkuar që të ndërpritet dhe të merren masa kundër djegies së të njëjtës kurse më pas të mbyllet.

”Duke patur parasysh se më shumë se një muaj vazhdimisht ndotet ajri nga zjarri në këtë deponi kërkojmë që e njëjta të mbyllet dhe dislokohet në vend tjetër ku do të ndërtohet një deponi me të gjitha standardet evropiane”, thonë nga kjo lëvzije. Deponia Rusino, është deponi regjionale dhe e njëjta është në procedurë që të rregullohet me mjete të ambasadës së Zvicrës dhe më pas me këtë do të menaxhojë një ndërmarrje publike në nivel të rajonit të Pollogut.

Procedurat për funksionalizimin e kësaj ndërmarrje janë ndërprerë për shkak të zgjedhjeve kurse pas zgjedhjeve pritet që të ketë veprime konkrete. Por derisa janë duke zgjatur këta procedura, deponia Rusino gjatë tërë kohës përfshihet nga zjarri, kurse ka indikacione se e njëjta ndizet qëllimisht për përfitime politike./Koha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme