Google ADS

Mimoza Kusari: Qeveria Hoti dështoi në menaxhimin e situatës me Covid 19, nuk u zbatua as pako e miratuar nga Kurti

09:03 | 12 Korrik 2020
L G

“Qeveria Hoti nuk e ka menaxhuar mirë situatën me Covid 19 në vend”.

Kështu ka vlerësuar deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila në një intervistë dhënë për arbresh.info.

Ajo ka thënë se nga rënia e qeverisë Kurti është deklaruar se ka një plan për futje të mjeteve të ekonomisë, por që nuk u pa një i tillë. Kusari – Lila ka shtuar gjithashtu se qeveria Hoti nuk ka arritur të zbatoj as pakon e miratuar në kohën e qeverisë Kurti.

“Vlerësoj se ka qenë mungesë e menaxhimit të mirëfilltë të situatës në përgjithësi, fatkeqësisht prej kur u rrëzua qeveria Kurti më 25 mars dhe deri tani përkundër faktit që u deklarua se ekziston një plan dhe formë që të futen mjete në ekonomi po del e kundërta, po del se sfida kryesore është e zbatimit të pakos që është miratuar në kohën e qeverisë Kurti”, ka thënë ajo.

Kusari ka shtuar gjithashtu se qeveria nuk po tregon seriozitet në menaxhimin e situatës.

“Konsideroj se duhet shumë më tepër seriozitet nga qeveria aktuale e cila paligjshëm mori pushtetin por në mënyrën se si janë duke e menaxhuar situatën nuk po tregojnë as seriozitet e as marrje me prioritet të krizës aktuale si në aspektin shëndetësor ashtu edhe ekonomik”, ka thënë ai.

E sipas saj as rishikimi i buxhetit nuk do të sjellë ndonjë risi.

“Ajo çfarë po shohim është se edhe me rishikim të buxhetit nuk do të ketë asnjë risi, në të kundërtën do të ketë përpjekje për të vazhduar edhe një ditë tjetër derisa po mungon ideja e qartë e orientimit të ekonomisë së vendit dhe masave që duhet ndërmarrë për tu sanuar dëmet dhe krijuar një realitet i ri që do të ofronte edhe mundësi të reja. Po shohim një diskoordinim total në nivelin e qeverisë edhe të asaj pako që e kanë marrë të gatshme nga qeveria Kurti”, ka shtuar ajo.

Sipas deputetes së Alternativës të gjitha strategjitë për dalje nga kriza janë të skaduara.

“Po vërehet se ka shumë paqartësi në aspektin e mënyrës se di po prezantohen shifrat, u tha se do të ketë rënie prej 3% përderisa do të ketë rënie të të hyrave deri në 12-13%, nuk ka ide të qartë mbi atë se cilët sektor ekonomik sjellin rritje por edhe nuk ka edhe orientim strategjik ekonomik. Të gjitha strategjitë në Kosovë gati janë të skaduara ndërsa ka edhe ndryshime të natyrës së si do të veprohet me sektorin e energjisë apo atë industrial”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar kthimi i normalitetit të ekonomisë përmes eksportit nuk mund të bëhet pa masa stimuluese.

“Siç e prezantoi Bajrami, parashihet që në vitin 2021 të kthehet normaliteti derisa parashihet që rritja e mundshme të bëhet përmes eksportit por nuk shohim forma apo masa që do të stimulojmë eksportin. Ne edhe ashtu kemi pas një ekonomi në të cilën ka dominuar importi dhe ka pas eksport të vogël dhe nuk po shohim se si ekonomia mund të rimëkëmbet derisa nuk janë masat për rimëkëmbjen, ne po shohim tentim të menaxhimit të krizës pa një ide të qartë se ku është distanconi final me këtë qeverisje që e kemi aktualisht”, ka thënë ajo.

Ndryshe ditë më parë në Komisionin për Buxhet dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës teksa po diskutohej Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, pati përplasje mes ministres së Financave, Hykmete Bajrami, dhe anëtarëve të komisionit.

Ajo deklaroi se rënia ekonomikë për këtë vit do të jetë 3%.

E për këtë ka kërkuar sqarim anëtari i këtij komisioni, Bedri Hamza. Ai ka thënë se si do të jetë e mundur kjo shifër kur të hyrat në buxhet do të bien për -13% -14%

Ndërsa Banka Botërore në muajin prill në raportin e saj për Ballkanin Perëndimor ka parashikuar që në Kosovë rënie ekonomike të jetë deri në 4.5 për qind në vitin 2020

“Për Kosovën, raporti parashikon që ekonomia do të pësojë rënie prej 4.5 për qind në vitin 2020, e që do të pasohet me rikthim në rritje në vitin 2021. Shpërthimi i COVID-19 dhe masat e nevojshme të frenimit janë duke shkaktuar presion të paparë për investimet, konsumin privat, por edhe për eksportet dhe remitancat nga diaspora”, thuhet në raport.

Raporti ishte bërë publik në kohën kur numri i rasteve në Kosovë ende nuk kishte arritur 1 mijë, ndërsa javëve të fundit ky numër është rritur dukshëm duke arritur numër treshifror çdo ditë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme