Google ADS

Qeveria paralajmëron masa të rrepta për shkak të COVID-19

00:53 | 11 Korrik 2020
Trina Galanxhi

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar marrjen e masave më të rrepta të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, pas shtimit të rasteve të reja me koronavirus.

Pas takimit të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës emergjente me koronavirus, në një njoftim për media, Qeveria ka thënë se “meqenëse ditëve të fundit numri i të infektuarve është shtuar së tepërmi, madje duke pasur pasoja të rënda edhe me jetë njerëzish, nga diskutimet e pjesëmarrësve doli se Qeveria dhe institucionet e tjera të vendit nuk mund ta përjashtojnë as marrjen e masave më të rrepta të kufizimit të lëvizjes së qytetarëve”.

Sipas njoftimit, në takimin e këtij komiteti është kërkuar që të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm, të mbajnë distancën, t’i bartin maskat mbrojtëse dhe ta mbajnë higjienën personale, “sepse këto janë mjetet më efikase për t’u mbrojtur nga ky infeksion i rrezikshëm”.

“Kryeministri Avdullah Hoti, po ashtu, kërkoi nga të gjitha institucionet relevante të vendit, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, t’i bashkërendojnë veprimet e tyre, në mënyrë që qytetarët të informohen për masat mbrojtëse të parapara me vendimet e Qeverisë se Republikës së Kosovës, si dhe me udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Edhe në këtë takim, kryeministri Hoti, theksoi vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për të ndërhyrë kudo që ka nevojë me pajisje teknike, qoftë me shtimin e numrit të personelit shëndetësor, në mënyrë që pacientëve të shtrirë në spitalet e Kosovës t’u ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme profesional dhe kujdesi human për të cilin ata kanë nevojë”, thuhet në njoftim.

Ditëve të fundit janë regjistruar shifra rekorde viktimash dhe me të prekurit nga koronavirusi. Në dy ditët e fundit janë regjistruar nga më shumë se 200 raste të reja, përderisa numri i viktimave në total ka shkuar në 94. Deri tash në Kosovë janë regjistruar 4307 raste pozitive me COVID-19.

Ditë më parë, Qeveria ka vendosur masën e kufizimit për qytetarët prej orës 21:00 deri në orën 05:00 në mëngjes për Prishtinën, Prizrenin, Ferizajn e Vushtrrinë si dhe më pas edhe për komunat në veri./blic/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme