Vuçiq: Ky ishte ultimatumi i Kosovës në samitin e Parisit

12:54 | 10 Korrik 2020
Arbresh.info

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Kosova ka paraqitur ultimatum me tri pika gjatë “samitit të Parisit”.

“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, ka thënë presidenti i Serbisë, raporton B92, transmeton lajmi.net.

Vuçiq ka thënë se do të jenë nën presion të madh dhe njëkohësisht po përballen me “me çasje totalisht joreale të shqiptarëve të Kosovës që duan çdo gjë, e Serbia të mbetet pa asgjë”.

“Ne marrim pjesë në dialog nën ombrellën e BE-së, është e rëndësishme për ne”, ka shtuar presidenti serb. “Pala shqiptare kanë thënë se asociacioni komunave serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre. Nëse nuk jeni në gjendje ta plotësoni këtë për shtatë vjet e gjysmë, si mendoni të plotësoni gjërat tjera.”

Ai shton se nuk mund të thotë se Serbia ishte nën presion nga ana e Macronit dhe Merkelit. Thotë se është përpjekur që sot në mënyrë të guximshme, racionale e pragmatike të përgjigjet në kërkesat dhe “listën e dëshirave të bukura” të palës shqiptare, ndërsa beson se Merkel dhe Macron këtë e kanë kuptuar.

“Do të jemi të detyruar të bisedojmë, por nuk është e lehtë të bisedohet me dikë që jeton jashtë realitetit. Kur thonë se e kanë për qëllim të anulojnë Rezolutën 1244, ne pyesim se ku është aty interesi serb, ata thonë ‘ne nuk e dimë’…Sido që të jetë, nuk na pret kohë e lehtë, por do të luftojmë dhe do ta ruajmë vendin”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme