Izrael, shënohen mbi 1 mijë raste të reja me COVID-19

12:41 | 10 Korrik 2020
Arbresh.info

Në 24 orët e fundit 4 persona të diagnostikuar me COVID-19 kanë humbur jetën ndërsa janë regjistruar 1.464 raste të reja.

Me 1.464 rastet e reja të koronavirusit të ri (COVID-19) në Izrael është regjistruar numri më lartë i rasteve ditore.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria izrelite e Shëndetësisë thuhet se në 24 orët e fundit 4 persona të diagnostikuar me COVID-19 kanë humbur jetën ndërsa janë regjistruar 1.464 raste të reja.

Kjo shifër e rasteve thuhet se është më e larta e regjistruar si pasojë e virusit në vend që nga 21 shkurti e deri më tani.

Në këtë mënyrë numri i rasteve në vend ka arritur në 35.553 ndërsa numri i vdekjeve në 350.

Gjithashtu thuhet se në 24 orët e fundit janë kryer mbi 26 mijë teste ndërsa 5.5 për qind e rezultateve kanë dalë pozitivë.

Bëhet e ditur se 124 nga të prekurit me koronavirus janë në gjendje të rëndë dhe se numri i personave të shëruar ka arritur në 18.532.

– Numri i rasteve aktive i afrohet shifrës së atyre që shërohen

Në Izrael po përjetohet vala e dytë e pandemisë për shkak të rritjeve të rasteve të reja në ditët e fundit. Numri i rasteve aktive të cilat ranë nën 2.000 muajin e maj, me rritjet e regjistruara në ditët e fundit arritën në 14.651.

Në vendin ku rastet ditore po shtohen dita ditës, numri i rasteve aktive po afrohet me shifrën e të prekurve që shërohen.

Pas rënies së rasteve ditore nën 20 në muajin maj, në Izrael u hoqën shumica e masave të COVID-19. Në vend filloi sërish mësimi në shkolla i cili ishte pezulluar për shkak të pandemisë. Po ashtu u hapën bizneset, përfshirë qendrat tregtare, tregjet dhe restorantet.

Për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të rasteve, qeveria izraelite më 6 korrik mori vendimin për mbylljen e sallave sportive dhe klubeve të natës. Gjithashtu vendosi kufizimin deri në 20 persona për sinagogat dhe restorantet./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme