Gucati:Hashim Thaçi do të kthehet i pafajshëm nga akuzat e pabazuara të Prokurorisë Speciale

20:32 | 8 Korrik 2020
L G

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati ka thënë se presidenti i vendit, Hashim Thaçi do të kthehet i pafajshëm nga akuzat e pabazuara të Prokurorisë Speciale, ku është ftuar të paraqitet të hënën.

Gucati përmes një postimi në Facebook, është shprehur se Thaçi ishte një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një ndër shembujt e rrallë në botë me bashkëluftëtarët të shumtë të UÇK-së që i treguan botës se si luftohet dhe mbrohet atdheu nga një armik barbar.

“Asnjëherë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë frikësuar dhe nuk kanë ngurruar të përballen me drejtësinë si atë vendore por edhe ndërkombëtare, si gjithë luftëtarët e tjerë edhe Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi do të dalë i pafajshëm kundër akuzave të pabaza dhe të pa qena që po iu bëhen atij dhe shumë ish luftëtarëve të UÇK-së”, shkruan ai.

“Ne kemi qenë viktima dhe kemi bërë luftën tonë për liri atë edhe çka na ka takuar të luftojmë për atdheun tonë të dashur, Hashim Thaçi një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është një ndër shembujt e rrallë në botë me bashkëluftëtarët të shumtë të UÇK-së që i treguan botës se si luftohet dhe mbrohet atdheu nga një armik barbar të cilët përdorën çdo mjet të dhunës për të na persekutuar dhe shfarosur nga toka jonë Kosova, të gjithë shqiptarët ku do që janë ndihen krenar me ju Hashim Thaçi dhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për luftën e bërë për shtetin e Kosovës, nuk ka asnjë gjykatë që mund të gjykojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftëtareve të saj”, shkruan Gucati.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se të hënën do të udhëtojë drejt Hagës për t’u intervistuar si i ftuar nga Prokuroria Speciale.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme