Google ADS

Një muaj paraburgim për vrasje të rëndë dhe dy tentim vrasje në Bardhaniq të Gjakovës

16:46 | 8 Korrik 2020
L G

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaj paraburgim ndaj shtetasit shqiptar nga Shqipëria, C.L për vrasje të rëndë dhe dy tentim vrasje.

“Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit C. I., shqiptar, shtetas i Republikës së Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe dy vepra tjera penale të vrasjes në tentativë”, thuhet në njoftimin e gjykatës,raporton arbresh.info.

Rasti ka ndodhur më 07 korrik 2020 rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Gjakovës, në shtëpinë e tani të ndjerit N.M., me dashje për motive ende të pa njohura, me mjet të mprehtë (thikë) ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.M. i moshës 60 vjeçare, po ashtu, i pandehuri C. I., i godet me thikë të dëmtuarit D.M. dhe M.M. duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit e më pas me shpejtësi largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, sipas gjykatës, i pandehuri C. I., dyshohet të ketë kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe dy vepra tjera penale “Vrasja” të ngelura në tentativë, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, Shaqir Zika pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale” thuhey në njoftim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës./arbresh.info

Të ngjashme