Haxhiu: Për vendimin e kufizimit të lëvizjes në veri të vendit nuk janë pyetur institucionet e Kosovës

14:03 | 8 Korrik 2020
Arbresh.info

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se për vendimin e marr nga Shtabi i krizës në veri të vendit nuk janë pyetur institucionet e Kosovës.

Haxhiu në një postim në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë janë duke iu nënshtruar vendimit të Serbisë.

“Nga dje ‘Krizni Shtab’ i Veriut në koordinim me Beogradin ka caktuar orë policore në komunat veriore të Kosovës nga ora 21:00 deri në 05:00. Për këtë vendim fare nuk janë pyetur Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, të cilat po i nënshtrohen këtij vendim të Serbisë”, ka shkruar Haxhiu.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Haxhiut:

Qeveri të nënshtrimit ndaj Serbisë dhe mashtruese ndaj qytetarëve të Kosovës

Qeveritë Hoti e Kurti i nënshtrohen Serbisë, duke lejuar shkelje të sovranitetit në veri të vendit.

Nga dje “Krizni Shtab” i Veriut në koordinim me Beogradin ka caktuar orë policore në komunat veriore të Kosovës nga ora 21:00 deri në 05:00. Për këtë vendim fare nuk janë pyetur Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, të cilat po i nënshtrohen këtij vendim të Serbisë.

Një situatë e njëjte kishte ndodhur edhe në Qeverinë Kurti, kur Qeveria e Serbisë kishte vendosur gjendjen e jashtëzakonshme dhe orën policore në veri në koordinim me këtë “Krizni Shabin” e veriut, ndërsa Qeveria Kurti i ishte nënshtruar një vendimi të tillë.

Qeveria Kurti kishte shkuar edhe më larg me nënshtrim ndaj Serbisë, sa që kishte pranuar 200 “profesionistë shëndetësor” nga Serbia për të monitoruar situatën e pandemisë në Kosovë dhe kishte pranuar 1000 teste donacion nga Serbia, duke ndihmuar Vuçiqin e Serbinë të prezantohen si shumë “human” në mediat botërore.

I proklamuar koalicioni i shpresës po na del të jetë koalicion i mashtrimit dhe nënshtrimit ndaj Serbisë.

Apeloj që sa me shpejtë të miratojmë Ligjin Anti-COVID-19, i cili do të jetë i zbatueshëm për tërë territorin e Republikës së Kosovës.

https://www.facebook.com/bekimhaxhiuofficial/posts/2052938054831046

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme