Banka Botërore vazhdon mbështetjen për Kosovën

19:16 | 7 Korrik 2020
Arditë Shkodra

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti ka zhvilluar takim virtual me drejtorin e ri të Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Massimiliano Paolucci.

Në komunikatën për media të lëshuar nga BQK thuhet se guvernatori Mehmeti uroi Paolucci për pozitën dhe i uroi sukses në rolin e ri si drejtor i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Guvernatori Mehmeti e informoi Paolucci lidhur me masat që BQK-ja ka ndërmarrë gjatë kohës së pandemisë, si dhe e informoi lidhur me zhvillimet në sektorin financiar në Kosovë.

Guvernatori Mehmeti njoftoi ekipin e Bankës Botërore për performancën e mirë të sektorit

financiar në Kosovë, e në veçanti atij bankar dhe potencoi rëndësinë e këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.

Guvernatori Mehmeti po ashtu shpalosi pikëpamjet e Bankës Qendrore lidhur me perspektiven e zhvillimit ekonomik në përgjithësi dhe rolin e sektorit financiar si kontribuues kyç në financimin e ekonomisë, në veçanti.

Mehmeti falënderoi Bankën Botërore për ndihmën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe shprehu gatishmërinë që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje.

Nga ana tjetër, drejtori i ri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano Paolucci theksoi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të mbajë në nivel të lartë bashkëpunimin me BQK-në, në realizimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë zhvillimin e vazhdueshëm të sektorit financiar dhe të ekonomisë së Kosovës në përgjithësi.

Të ngjashme