Hoti pritet nga Basha, bisedojnë për zhvillimet politike në vend dhe sfidat me të cilat po përballen dy shtetet

19:42 | 3 Korrik 2020
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, është pritur edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në vend, por edhe sfidat me të cilat po përballen dy shtetet tona.

Pas takimit, në një deklaratë për media, kryeministri Hoti tha se ndihet i nderuar që bashkë me anëtarë të kabinetit të vizitojnë PD-në dhe të takohen me kryetarin Basha, me të cilin, po ashtu, ka biseduar për sfidat që ka qeveria në luftimin e pandemisë dhe planet e saj për rimëkëmbjen ekonomike.

“Dëgjuam vlerësimet e Basha me përvojën e tij personale dhe bagazhin e PD-së në këtë drejtim në shumë procese të rëndësishme që shteti i Kosovës i ka kaluar deri më tash duke pasur mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe PD-së gjatë gjithë kohës”, tha kryeministri Hoti.

Me këtë rast, kreu i PD-së, Basha, në emër të partisë i uroi kryeministrit Hoti punë të mbarë dhe suksese në misionin e tij në drejtimin e Qeverisë së Kosovës. Në këtë takim, siç tha Basha, është diskutuar për një numër çështjesh të rëndësishme, për sfidat e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.

“Kam përshëndetur vendimin e kryeministrit Hoti për ngritjen e Këshillit të Ekspertëve, si një shenjë e qartë e vullnetit politik të qeverisë së re për të ndërtuar një bazë solide të kohezionit politik, të gjitha forcave politike, jo vetëm në funksion të stabilitetit të vendit, por edhe në funksion të përparimit në procese të rëndësishme siç është dialogu midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, tha Basha duke shtuar se PD-ja ka mbështetur dhe mbështetë objektivat e vendosura nga autoritetet e Republikës së Kosovës, qëllimin, arsyen dhe përfundimi i këtij procesi, njohjen reciproke midis dy vendeve.

Të pyetur nëse është diskutuar edhe për taksën e rrugës së kombit, kryeministri Hoti tha se kemi ndarë të gjitha shqetësimet që duhet t’i adresojmë si dy shtete, përfshirë edhe taksën e rrugës, dhe unë kam zotimin e  Basha që ajo taksë do të hiqet./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme