ZRRE-ja ia vazhdon KESCO-s afatin për furnizim të qytetarëve me energji elektrike deri në mars të 2021

15:52 | 3 Korrik 2020
Arbresh.info

Bordi i Rregullatorit për Energji, ka mbajtur sot seancën e tij të pestë me radhë për këtë vit, ndërsa ka marrë vendim që t’i vazhdohet afati i obligimit të shërbimit publik operatorit të furnizimit me energji elektrike KESCO sh.a, për furnizim të konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal, deri më 31 mars 2021.

Vendimi për Obligimin e Shërbimit Publik është marrë fillimisht nga Bordi i ZRRE më 18 janar 2017, me ç’rast është vlerësuar konkurrenca në tregun e energjisë elektrike në vend dhe është konkluduar se nuk ekziston konkurrencë efektive, si pasojë e mungesës së funksionimit të operatorëve të tjerë në tregun e furnizimit me energji elektrike.

“Përkundër që ZRRE ka licencuar deri më tani 8 subjekte juridike për furnizim me energji elektrike, përveç KESCO-s, subjektet e tjera të licencuara për furnizim me energji elektrike në Kosovë, deri më tani nuk janë duke operuar si furnizues aktiv. Prandaj me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe të parandalimit të abuzimit me pozitën dominuese të furnizimit me energji elektrike, Bordi i ZRRE ka vendosur që t’i vazhdoi KESCO-s obligimin për ofrimin e Shërbimit Publik si Furnizues me Shërbim Universal”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu, në këtë seancë, Bordi i ZRRE ka vendosur që t’i lëshohet licenca për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme të energjisë, ndërmarrjes “Hidroenergji” SH.P.K, për operimin e hidrocentralit “Lepenci 3”, me kapacitet 9.98 MË. Ky vendim është marrë pasi që kompania ka përmbushur të gjitha kërkesat që dalin nga legjislacioni vendor për rregullimin e këtyre aktiviteteve.

“Pjesë e shqyrtimit nga Bordi ka qenë edhe dizajni i ri i faqes së internetit së ZRRE, me ç ‘rast Bordi ka dhënë pëlqimin e tij për lansim duke konsideruar se dizajni i ri i kësaj faqeje është i orientuar drejt një transparence dhe përfshirje të publikut më të madhe në proceset rregullative. Po ashtu, faqja e re e internetit të ZRRE do të ju ofrojë qasje më të lehtë konsumatorëve në informatat të cilat mund të ju nevojiten si edhe palëve të tjera që përcjellin aktivitetet e ZRRE. Bordi ka shqyrtuar dhe disa çështje të tjera që ndërlidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit dhe sektorin e energjisë në përgjithësi”, thuhet në njoftim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme