Avdullah Hoti pjesë e Samiti të Parisit, mundësi e mirë për heqjen e vizave

08:00 | 3 Korrik 2020
Arbresh.info

Samiti i Parisit është afruar. Me 10 korrik do të mbahet Samiti i Parisit i cili përfaqëson vullnetin më të lartë politik të Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të shkojë në Paris, ku më 10 qershor, presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka paralajmëruar që të mbahet Samiti i Parisit, raporton Arbresh.info.

Ekipi përfaqësues i Kosovës, do të udhëhiqet nga kryeministri Avdullah Hoti, i cili me 7 korrik do të udhëtojë drejt kryeqytetit francez.

Edhe pse ende nuk është zyrtare, arbresh.info, nga burimet brenda Qeverisë së Kosovës ka konfirmuar udhëtimin e shefit të qeverisë, Avdullah Hoti.

Por, nuk dihet nëse bashkë me Hotin do të udhëtojë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky takim do të ketë rëndësi për Kosovën në këtë kohë, pasi që pritet që të zgjidhë disa çështje të hapura mes Kosovës e Serbisë, raporton arbresh.info.
Pritshmëritë nga ky samit janë të mëdha për kosovarët.

Njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Demush Shasha pret që rezultati kryesor nga samitit të jetë dakordimi i palëve për një kornizë dhe kalendar të përgjithshëm të zhvillimit të dialogut gjatë vitit 2020.

“Nga Samiti i Parisit pres që palët të dakordohen që ekziston vetëm një dialog për normalizimin e marrëdhënieve – ai i udhëhequr nga BE, bazuar në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Po ashtu, pres që Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron të ofrojnë përkushtimin e tyre personal për avancimin e rrugës integruese të Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim, pres që rezultati kryesor nga samitit të jetë dakordimi i palëve për një kornizë dhe kalendar të përgjithshëm të zhvillimit të dialogut gjatë vitit 2020” tha ai në një përgjigje për portalin arbresh.info.

Temat kyçe të këtij takimi priten të jenë disa çështje që kanë mbetur me vite të hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky takim, sipas Shashës, do të ofronte mundësinë e mirë për të bindur Presidentin Macron që Kosova ka përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave

“Ky takim do e këtë si temë qendrore çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, duke njohur që Franca është një nga skeptiket më të mëdha për liberalizimin e vizave për Kosovën takimi do ofronte mundësinë e mirë për të bindur Presidentin Macron që Kosova ka përmbushur kriteret e liberalizimit të vizave”, tha ai.

Duhet cekur që formalisht Samiti i Parisit nuk është përgjegjës për liberalizimin e vizave. Forumi përgjegjës për liberalizimin e vizave me Kosovën është Këshilli për Çështje të Brendshme dhe Drejtësi. Këshilli do këtë 4 takime gjatë pjesës mbetur të vitit 2020 (2 formale dhe 2 joformale).

Takimi i parë joformal do jetë me 6-7 korrik, ndërsa takimi i parë formal me 8-9 nëntor./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme