Skandali seksual që u bë shkak për valën e dytë të koronavirusit në Australi

00:54 | 3 Korrik 2020
Trina Galanxhi

Vala e dytë e koronavirusit në Australi mund të ketë ardhur si pasojë e një skandali seksual. Rojet e sigurisë kanë pranuar se kanë kryer marrëdhënie seksuale me udhëtarë të karantinuar në hotelin ku punonin.

Të dyshuarit me Covid-19 po qëndronin në hotelin me 5 yje “Stamford Plaza” në Melburn, ku u ishte rekomanduar që të izoloheshin për 14 ditë pasi kishin ardhur në Australi në pikun e pandemisë.

Një hetim nisi pasi 31 raste me koronavirus ishin të lidhura me hotelin luksoz në Melburn dhe rojet pranuan se kishin fjetur disa herë me udhëtarët që ishin vetëm në dhomë. Madje, i kishin çuar këta udhëtarë në qendra tregtare.

Tashmë, 300 mijë persona janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi në shtetin e Viktorias në Australi. Vendimi erdhi pas rritjes së rasteve me koronavirus. Për të 17 ditë radhazi janë raportuar të dhëna me dy shifra, me vatra të reja përhapjeje të regjistruara në Melburn, qytetin e dytë më të madh të Australisë.

Departamenti Shëndetësor i Viktorias thotë se janë 415 raste aktive në këtë shtet dhe 20 pacientë janë të shtruar në spital. Autoritetet po ndërmarrin teste rutinë në popullatë dhe të mërkurën u zhvilluan 26 mijë të tillë.

Ndërkohë, policia ka vendosur dhe pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Melburn si pjesë e shtrëngimit të masave kufizuese.

Australia mbahet si një nga vendet që e kanë menaxhuar më së miri pandeminë dhe kthimi i izolimit në shtetin e Viktorias u bë për të shmangur një valë të dytë infeksioni./noa/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme