Hoti: Paketë rimëkëmbjeje 400 milionë euro këtë vit, 1.2 miliardë vitin tjetër

23:51 | 2 Korrik 2020
Arbresh.info

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”.

I pyetur për planin ekonomik të qeverisë së tij, Hoti tha se objektivi afatshkurtër është rimëkëmbja nga kriza e shkaktuar nga pandemia e coronavirusit.

Hoti deklaroi se ekonomia e Kosovës është tkurrur me 5% nga pandemia dhe se qeveria do të vërë në dispozicion një paketë 400 milionë euro për këtë vit. Për sa i përket vitit të ardhshëm ai tha se qeveria ka përgatitur një paketë 1.2 miliardë euro.

“Vlerësimet tona janë që ekonomia është zvogëlu 5%, fondi i paketës është 400 milionë euro për këtë vit. Vitin e ardhshëm planifikojmë të fusim në ekonomi 1.2 miliardë euro.

Për shkak të pandemisë ka nisur të bëhet një riorientim i ekonomisë. Ka një zhvendosje të kompanive ndërkombëtare nga Kina drejt Evropës. Unë besoj se Ballkani Perëndimor mund të përfitojë shumë nga kjo. Fondi për rimëkëmbje ekonomike dhe plani për zhvillim më afatgjatë prej 1.2 miliardë euro unë mendoj se do ta ndërrojnë peizazhin ekonomik të vendit. E treta, nëse do të arrijmë progres në procesin e dialogut do ta heqim premiumin e riskut që vjen nga mos adresimi i një problemi politik mes dy vendeve. Shto kësaj edhe fondi për rimëkëmbje i BE që unë shpresoj të jetë për Ballkanin Perëndimor rreth 10 miliardë euro”, tha Hoti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme