Në kuadër të masave për rimëkëmbje ekonomike, Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një Projektligj, i cili përveç zbatimit të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, do t’iu mundësojë kontribut paguesve që të mund të tërheqin një shumë të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (TRUST).
Nga Ministria e Financave i është thënë portalit Front Online, që kontributdhënësit do të njoftohen me kohë, për mundësinë e tërheqjes së këtyre mjeteve.
“Njëra nga masat në kuadër të programit Qeverisës, përkatësisht Programit për Rimëkëmbje Ekonomike është krijimi i mundësisë së tërheqjes së shumës prej 10% të mjeteve nga Trusti i Kursimeve Pensionale nga kontribut-paguesit. Në përputhje me planin dinamik për zbatimin e kësaj mase, të gjithë kontributdhënësit e Trustit Pensional do të njoftohen me kohë për modalitetet e tërheqjes së këtyre mjeteve”, ka thënë Muharrem Shahini, drejtor i Zyrës për Komunikim me Publikun në MF.
Ministria e Financave tashmë veçse ka marr hapa për të konkretizuar këtë Projektligj.
Sipas Shahinit, janë zhvilluar takime edhe me Trustin dhe BQK-në, për të bërë përgatitjet e duhura për zbatimin e kësaj mase.
“Ministria e Financave ka zhvilluar takime me Trustin dhe BQK-në për të harmonizuar veprimet, në mënyrë që të bëhen përgatitjet e duhura për zbatimin e kësaj mase në mënyrë sa më praktike. Gjithashtu janë duke u intensifikuar punët në mënyrë që të rregullohet edhe legjislacioni përkatës”, ka thënë tutje ai.
Shefja e këtij dikasteri, Hykmete Bajrami dje theksoi që Projektligji i cili do të lejonte tërheqjen e 10% të kontributeve nga Trusti, do të dal për votim në Kuvend, javën e ardhshme. Por nga ministria i është thënë “Front Online”, që për momentin nuk ka afate kohore konkrete.
“Ndërsa sa i përket afateve kohore, për momentin janë duke u bërë përpjekjet që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt”, ka thënë ndër të tjera ai.
Demi: Në Trust janë të grumbulluara mbi 2 miliardë euro
Jeton Demi, zëdhënës në këtë institucion, ka thënë se Qeveria veçse e ka konsultuar Trustin për një masë të tillë.
“Ne mund vetëm ta komentojmë propozimin e Qeverisë së Kosovës për 10% e kontributeve në Trust. Konsultime me Qeverinë ka pasur por nuk është që e ka të domosdoshme Qeveria që të na konsultojë ne për këtë propozim”, ka thënë Demi.
Për sa I përket lëshimit të mjeteve të kontributdhënsve, Demi ka thënë që kur të kalon Projektligji, Trusti e ka të detyrueshme që t`i lëshoj ato.
“Çështja e lëshimit të mjeteve nuk është se e vendosim ne, sepse kur merret vendimi ne duhet që t`i lëshojmë ato”, ka thënë Demi.
Deri më tani, dy miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të rreth 700 mijë kontributpaguesve në Kosovë, që i menaxhon Fondi i Kursimeve Pensionale.
Nga kjo vlerë, 75 për qind e mjeteve mbahen të investuara në tregjet financiare ndërkombëtare, kurse 25 për qind në Kosovë.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...