Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, përmes një letre, i ka bë thirrje Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, që të përdorë fuqinë diplomatike për të bindur autoritetet e Serbisë të përdorin Marrëveshjen për Ndihmë Juridike që është nënshkruar ndërmjet vendeve tona me mbështetjen e BE-së, rreth rastit të Nezir Mehmetaj që mbahet në Serbi nën akuza të rreme e të motivuara politikisht.
Letra ka përmbajtjen si në vijim:
E nderuara Ambasadore Apostolova,
Po ju drejtohem me këtë letër si një notë proteste mbi zhvillimet shqetësuese dhe veprimet e Serbisë në arrestimin e qytetarëve të Kosovës nën akuza të rreme dhe të motivuara politikisht. Unë bëj thirrje që Zyra e BE-së në Kosovë të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të ndërprerë mundimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj qytetarëve tanë me procedura të tilla të kundërligjshme që u mohojnë atyre të drejtën e tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Rasti më i fundit është ai i Nezir Mehmetaj, i cili është arrestuar dhe ndaluar në mënyrë të kundërligjshme që nga 3 janari nën akuzat e anëtarësisë së tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe akuza për vrasje, që supozohet se kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. Ndonëse rasti i z. Mehmetaj asesi nuk është i pari, është një rast shumë shqetësues duke pasur parasysh mbajtjen e tij të vazhdueshme edhe pas kërkesave të shumta nga institucionet tona dhe Zyra jonë ndërlidhëse në Beograd.
Z. Mehmetaj po mbahet në mënyrë të kundërligjshme nga një vend që nuk mund t’ia garantojë atij të drejtën e tij për një gjykim të drejtë. Ky rast, si shumë të tjerë para tij, dëshmon se Serbia ndjekë një drejtësi selektive përmes së cilës i maltreton qytetarët tanë me akuza të pavlefshme ndërsa pengon ndjekjen dhe dënimin e qytetarëve të vet me akuza të njëllojta.
Bazuar në raportet e zyrës sonë përfaqësuese në Beograd, të cilët kanë ndjekur gjykimin, akuzat e z. Mehmetaj tashmë janë hedhur poshtë madje edhe nga institucionet e brendshme në Serbi. Ministria e Brendshme e Serbisë tashmë ka konfirmuar në procedurë se z. Mehmetaj nuk është i njëjti person në bazë të të cilit janë ndërtuar pretendimet për anëtarësimin e tij në UÇK. Për më tepër, akuzat për vrasje janë hedhur poshtë nga një dëshmi, e marrur në Gjermani, në të cilën dëshmitari i betuar ka vërtetuar se z. Mehmetaj nuk është personi i parë në vendin e krimit.
Pavarësisht kësaj, z. Mehmetaj vazhdon të mbahet nga autoritetet në Serbi. Përveç pabazueshmërisë së akuzave ndaj tij, është e rëndësishme të ritheksohet që z. Mehmetaj nuk është shtetas i Serbisë, nuk ka lidhje personale paraprake me Serbinë dhe se ai akuzohet për krime të kryera në territorin e Kosovës, kundër qytetarëve të Kosovës. Nuk ka lidhje të mjaftueshme të çështjes së tij me Serbinë dhe, rrjedhimisht, Serbia nuk ka juridiksion të zhvillojë procedime penale kundër tij. Për këtë arsye, ne bëjmë thirrje që procedura të transferohet në Kosovë, si i vetmi vend me lidhje të vërtetë reale e personale si me viktimat ashtu edhe me autorin e dyshuar.
Ne bëjmë thirrje që ju të përdorni fuqinë tuaj diplomatike për të bindur autoritetet e Serbisë të përdorin Marrëveshjen shumë të dobishme për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike që është nënshkruar ndërmjet vendeve tona, me mbështetjen e BE-së. Kjo Marrëveshje është përdorur në më se gjashtëqind raste tashmë midis dy vendeve tona, në ndjekje të drejtësisë në të dyja anët. Ne bëjmë thirrje që prokuroria serbe të përdorë këto mekanizma për të bashkëpunuar me prokurorinë në Kosovë për të transferuar provat dhe procedurat në Kosovë, nën lehtësimin e BE-së. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që qytetarët tanë të marrin mbrojtjen e nevojshme ndërsa kalojnë një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Për më tepër, Serbia vazhdon të pengojë këto gjykime të drejta duke abuzuar me privilegjin e anëtarësisë së saj në INTERPOL dhe duke lëshuar fletarreste konkurruese për qytetarët e Kosovës në të gjithë botën, vetëm për të penguar institucionet e Kosovës që të kryejnë ndjekjen në Kosovë. Ne kemi ngritur kundërshtimet tona për këto taktika të turpshme në të kaluarën, të cilat jo vetëm që shkelin të drejtat e njeriut, por gjithashtu pengojnë vënien e drejtësisë nga institucionet e Kosovës.
Institucionet e vendit tonë, ashtu si ato të BE-së, janë të përkushtuara të garantojnë shkallën më të lartë të mbrojtjes së të drejtave të njeriut gjatë gjithë procedurave, për çfarëdo akuze të ngritur. Historia ka dëshmuar se Serbia nuk ka qenë në gjendje të sigurojë garanci të tilla në shumë procedura penale, aq më pak në ato që përfshijnë krime lufte, gjë që dëshmohet me numrin veçanërisht të ulët të dënimeve të qytetarëve të vet për krime në Kosovë dhe luftëra të tjera në rajon.
Për këto arsye BE-ja dhe institucionet e tjera kanë qenë gjithmonë aktive në nxitjen e institucioneve serbe që të bashkëpunojnë me Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi dhe tani mekanizmat përcjellës të saj. Nga ana tjetër, institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë punuar vazhdimisht me mekanizma ndërkombëtarë të ndjekjes penale brenda vendit ose jashtë saj, duke rezultuar në dënime të shumë prej qytetarëve të saj.
Kuadri institucional në Kosovë, përmes Prokurorisë Speciale dhe njësive të specializuara për krimet e luftës, dhe korniza e shkëlqyer ligjore janë masat më të mira mbrojtëse për çdo të pandehur të ndjekur penalisht në Kosovë, për të lejuar mbizotërimin e drejtësisë. Ministria e Drejtësisë, përmes Departamentit të saj për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar është e gatshme dhe e përgatitur për të lehtësuar transferimin e këtyre procedurave dhe adresimin e çdo ndihme juridike të nevojshme për këtë ose raste të tjera.
Prandaj, ne ju bëjmë thirrje që të ushtroni fuqinë tuaj diplomatike për të mos lejuar këtë ndjekje të drejtësisë selektive nga Serbia. BE shpesh ka shprehur pakënaqësitë e saj në momentet kur besonte se në vendet tona po bëhen padrejtësi. Ky rast duhet të jetë njëri prej tyre.
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...