Google ADS

Hapen aeroportet, rikthehet turizmi në Greqi

12:08 | 1 Korrik 2020
Arditë Shkodra

Turizmi në Greqi ka rifilluar të marrë frymë, ndërsa të gjitha aeroportet dhe portet do të rihapen për të ardhurit nga jashtë. Njerëzit bëjnë banja dielli, notojnë dhe shikojnë perëndimet e diellit në ishullin grek të Korfuzit, ndërsa turizmi po rikthehet në jetë tani.

Nga e mërkura, Greqia rinisi fluturimet drejt destinacioneve më të kërkuara të saj turistike, ndërsa përpiqet të shpëtojë një pjesë të sezonit të përvitshëm të turizmit që është thelbësor për ekonominë e saj. Mbi 100 fluturime priten në 14 aeroportet rajonale, që përfshijnë edhe ishujt popullorë të Korfuzit, Santorinit, Mikonosit, Rodosit dhe Kretës.

Të gjithë aeroportet në vend tani presin fluturime ndërkombëtare dhe portet e Patras dhe Igumenicës kanë filluar sërish të presin tragetet nga Italia.

Udhëtarëve u jepen kode të skanueshme pasi ata plotësojnë një pyetësor me detaje personale si për shembull vendi i tyre i origjinës dhe vendet nga ku kanë kaluar në 15 ditët e shkuara. Atyre që do të testohen do tu kërkohet të izolohen në adresa të caktuara ndërsa presin për rezultatet.

“Do të jetë një sezon shumë i vështirë turistik. Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme”, tha kryeministri Kiriako Micotaqis këtë javë.

Greqia ka një bilanc relativisht të ulët të viktimave të koronavirusit, nën 200 dhe ka lancuar një fushatë promocionale për të rikthyer në jetë turizmin, që zë një të katërtën e GDP së saj. Vendi shpreson të sigurojë vizitorët e mundshëm por edhe vetë grekët, që druajnë për një rikthim të pandemisë me kthimin e turistëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme