Google ADS

Nxënësit gjilanas mbesin pa kifle, shkak moskalkulimi i Lutfi Hazirit gjatë fushatës zgjedhore

08:16 | 1 Korrik 2020
Arbresh.info

“Ofrimi i shujtave për nxënësit e ciklit të parë në shkollat fillore”.

Ky ishte një prej premtimeve që i kishte bërë kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri gjatë fushatës zgjedhore.

Por, duket se para futjes së këtij premtimi në programin zgjedhor nuk janë bërë kalkulimet e duhura.

Tashmë po vlerësohet se realizimi i këtij premtimi është pothuajse i pamundur, pasi do të merrte afër gjysmë milioni euro nga buxheti i komunës.

Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar edhe drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica.

“Në bazë të një analize që e kemi bërë ka dalë që na duhen mbi gjysmë milioni euro për mbulimin e shujtave për të gjithë komunën”, ka thënë ai.

E në pamundësi të realizimit të plotë të premtimit, komuna do ta realizoj një pjesë të tij. Janë përzgjedhur tri shkolla në tri fshatra të Gjilanit, nxënësit e të cilave gjatë vitit të ardhshëm shkollor do të furnizohen me shujta ditore.

Për këtë tashmë edhe është hapur tenderi në vlerë rreth 40 mijë euro ose saktësisht 38 000 euro.

Sipas njoftimit për kontratë të bërë publik në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik bëhet fjalë për shkollat në ‘Bajram Curi’, ‘Afërdita’ dhe ‘Fetah Qerimi’.

Ndërsa drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica ka treguar gjithashtu se si është bërë përzgjedhja e shkollave.

”Përzgjedhjen e kemi bërë për shkak të zonave rurale, ka edhe paralele të ndara dhe distanca e fëmijëve nga shtëpi deri në shkollë është e madhe”, ka thënë ai.

E, numri i nxënësve përfitues është afër 300.

“Prej parashkollor deri në klasën e 9-të, në këto tri shkolla janë 282 nxënës janë përfitues të shujtave”, ka thënë ai.

Gagica ka shtuar gjithashtu se çdo ditë do të ketë kifle me shije të ndryshme të shoqëruara me pije.

“Shujta është meny javore, që ndryshon çdo ditë, çdo ditë ka lloje të ndryshme të kifleve të shoqëruara me qumësht, jogurt apo ndonjë lëng”, ka thënë për drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica.

Ndërsa Këshilltari komunal nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Xhelal Hajrullahu, në Komunën e Gjilanit ka thënë për arbresh.info se shujta duhet t’i përfshijë të gjithë nxënësit ashtu siç edhe ishte premtuar.

“Kanë startuar me tri shkolla, nuk është bërë ndonjë narracion i buxhetit për të parë nëse ka kosto shumë të madhe për realizim projekt për të gjitha shkollat. Komuna e ka atë përgjegjësi me njerëz kompetent të cilat realisht duhet t’i përshinë në këtë shujtë të gjithë nxënësit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë gjithashtu se për mos realizim të premtimit kanë kërkuar sqarim edhe në Kuvendin Komunal.

“Gjatë fushatës zgjedhore nga kryetari i komunës është premtuar se do të ketë shujta për të gjitha shkollat fillore në komunën Gjilanit. Ka startuar vetëm me tri shkolla, këtë çështje e kemi ngritur edhe në Kuvendin Komunal si asamblist dhe përgjigja e tyre ka qenë se kosto është shumë e lartë në mënyrë që të gjitha shkollat të kenë shujta”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka shtuar se vet përzgjedhja e tri shkollave është diskriminuese.

“Është diskriminim në këtë aspekt sepse është bërë seleksionimi duke u favorizuar disa shkolla e një ndër arsyet ka qenë edhe vendet kodrinoro-malore ku nuk kanë shumë qasje fëmijët që të dalin dhe të furnizohen me ushqim gjatë orarit të mësimit. Këtë përgjigje e kemi marrë edhe nga drejtori i arsimit”, ka shtuar ai.

Ndryshe tenderi ‘furnizim me shujta ditore për nxënës’ në komunën e Gjilanit ka kohëzgjatje prej 12 muajve ndërsa vlera e parashikuar është 38 mijë euro.

Në njoftimin për kontratë të bërë publik në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik ndër të tjera thuhet se ‘operatori ekonomik duhet të përmbush kërkesat mbi përshtatshmërinë të Ligjit Nr. 04  L-042 042 për Prokurimin  Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04  L-237, ligjin Nr. 05  L-068 dhe Ligjin Nr. 05  L-092 , Neni 65’.

Lloji i procedurës është i hapur, ndërsa ofrimi i çmimit më të ulët është një ndër kriteret për dhënie të kontratës.

Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve është data 16.07.2020, vetëm përmes platformës elektronike, ndërsa të gjitha tenderët që do të dorëzohen në kopje fizike do të refuzohen për nga aspekti administrativ./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme