Google ADS

Blerim Latifi sulmon ashpër Ramën dhe Thaçin për politikën e brendshme “për faqe të zezë”

15:55 | 30 Qershor 2020
Arbresh Info

Profesori i njohur Blerim Latifi ka komentuar fjalimet politike të Hashim Thaçit dhe të Edi Ramës, e të cilët u replikuan gjerësisht në rrjetet sociale të internetit. 

Latifi i ka quajtur të mira të dyja fjalimet e udhëheqësve shtetëror, por ka deklaruar se këto fjalime nuk ishin të mira për të tjerët (duke nënkuptuar mbase faktorin ndërkombëtar).

Ish kandidati i PDK-së për deputet ka thënë që argumentet janë humbur pasi që “kemi vazhdur t’i bëjmë keq punët dhe detyrat tona.”

“Dihet qysh moti: nuk mund të shkelqësh në politikën e jashtme, gjatë kohës që politikën e brendshme e ke për faqe të zezë.” – shkruan z.Latifi, përcjell Periskopi.

Më poshtë e keni statusin e plotë: 

Fjalimi i Presidentit mbrëmë ishte i mirë! Në veshët tanë tingëllon bindës. I mirë ishte edhe fjalimi i Edi Ramës, të cilin ai e shpërndau sot në profilin e tij në facebook. Edhe ai ishte bindës për ne. Por problemi nuk qëndron këtu. Problemi qëndron tek bindja e të tjerëve. Si të sigurohet ajo? Përgjatë gjithë këtyre viteve, si Kosova, si Shqipëria, nga viti në vit, kanë ardhur duke e humbur fuqinë për t’i bindur të tjerët në drejtësinë e argumenteve të tyre. Kjo ka ndodhur sepse kemi vazhduar t’i bëjmë keq punët dhe detyrat tona. Qytetarët i kemi sjellë në ditën që të mendojnë nga mëngjesi në darkë si të gjejnë një rrugë për të ikur nga vendi, partnerët tanë perëndimorë i kemi zhgënjyer me pafuqinë tonë për të ndërtuar shoqëri ku sundimi i ligjit është realitet e jo premtim elektoral, dhe me këto dy dështime i kemi inkurajuar armiqtë e kombit tonë që të vazhdojnë me planet e tyre për defaktorizimin e tij në Ballkan. Dihet qysh moti: nuk mund të shkelqësh në politikën e jashtme, gjatë kohës që politikën e brendshme e ke për faqe të zezë. Sa më keq t’i bësh punët në shtëpinë tënde, aq më pak do të respektohesh jashtë saj. Dhe respekti e besimi shkojnë bashkë. Kjo do të thotë se kur humbet i pari, i njëjti fat e pret edhe të dytin.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme