Google ADS

Banka Botërore: Kosova ka bërë përmirësime në sigurinë kibernetike

13:10 | 30 Qershor 2020
Arditë Shkodra

Kosova është përmirësuar në shumë fusha të kapacitetit të sigurisë kibernetike dhe ka një kuptim gjithëpërfshirës të mangësive ekzistuese dhe mundësive për ndërtimin e kapaciteteve në vitet e fundit, thotë raporti i ri i vlerësimit të sigurisë kibernetike prezantuar nga Banka Botërore.

Ky është vlerësimi i dytë i tillë nga hulumtuesit e GCSCC në Kosovë dhe u krye me përkrahjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Mjedisit. Aktiviteti fillestar u realizua në vitin 2015, duke e bërë kështu Kosovën shtetin e parë në tërë botën që e ka pilotuar CMM-në dhe më pas i është nënshtruar rivlerësimit të CMM-së.

Vlerësimi i ri zbuloi se Kosova ka ndërmarrë hapa kritikë në ndërtimin e kapacitetit të sigurisë kibernetike, në veçanti duhet të ceket se ajo e ka miratuar Strategjinë e saj të parë Shtetërore të Sigurisë Kibernetike (SSK). Raporti i CMM-së i vitit 2019 tregoi që SSK i ka dhënë shtytje një reforme legjislative ambicioze, duke përfshirë riorganizimin e thellë të legjislacionit për krimin kibernetik, hartimin e një ligji gjithëpërfshirës ombrellë për sigurinë kibernetike dhe krijimin e bazës ligjore për identifikimin e infrastrukturës kritike shtetërore.

Hulumtuesit arritën në përfundimin se duhet të ruhet ky vrull për ta mundësuar zbatimin e plotë të këtyre nismave legjislative. Rëndësia e njëjtë duhet t’i kushtohet për të siguruar se strukturat e krijuara siç është KOS-CERT i kanë resurset dhe përkrahjen në dispozicion për t’i përmbushur përgjegjësitë e tyre. Kjo pika e fundit vlen edhe për institucionet tjera si Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që kanë nevojë për përkrahje shtesë për ta zbutur problemin e ruajtjes së talenteve në Kosovë dhe mungesën e profesionistëve të kualifikuar në TIK dhe në sigurinë kibernetike.

“Forcimi i sigurisë kibernetike është një hap thelbësor për të siguruar se të gjitha sistemet dhe infrastruktura e TIK-ut punojnë së bashku në mënyrë të sigurt. Ne i kemi marrë seriozisht rekomandimet nga Modeli i parë i Pjekurisë në Siguri Kibernetike dhe kemi bërë përparim domethënës në fushën e politikave. Rivlerësimi nuk është vetëm një udhëzues për përmirësime të mëtejshme, por është edhe një mënyrë për t’i kuptuar më mirë pikat e forta dhe të dobëta në mënyrë krahasuese”, tha Agim Kukaj, drejtor i Postë-Telekomunikacionit dhe Teknologjisë Informative dhe Drejtor i Projektit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës (KODE).

Ky vlerësim u krye në kuadër të Programit Global të Kapacitetit për Siguri Kibernetike II, për të cilin financimi erdhi nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Koresë, përmes Instrumentit të Partneritetit Kore-Grupi i Bankës Botërore, që administrohet nga Banka Botërore. Si pjesë e këtij programi, shteti gjithashtu përfitoi nga një punëtori për ndërtimin e kapaciteteve, që u mbajt në muajin nëntor nga Qendra Globale e Sigurisë Kibernetike për Zhvillim, pjesë e Agjencisë Koreane për Internet dhe Siguri (KISA). Punëtoria dy-ditore në Nëntor 2019 mblodhi ekspertë të shumtë vendorë të sigurisë kibernetike, të cilët u ekspozuan njohurive të fundit mbi sigurinë kibernetike nga Republika e Koresë.

Banka Botërore po përkrah po ashtu, nëpërmjet Projektit për Ekonominë Digjitale në Kosovë (KODE), përmirësimin e qasjes në shërbime më cilësore dhe me internet me shpejtësi të lartë në zonat rurale, si dhe qasjen në burime të njohurive, shërbimeve dhe tregjeve të punës “online” për qytetarët dhe institucionet publike e akademike.

“Si çdo sektor tjetër i ekonomisë së ndërlidhur, edhe sektori publik është po ashtu një cak i përhershëm për kriminelët kibernetikë dhe ne e kuptojmë se siguria efektive kibernetike është shumë më shumë se sa pajisjet teknologjike. Banka Botërore do të vazhdojë ta përkrah Kosovën në këtë udhëtim sfidues, por edhe emocionues, në vitet në vazhdim”, tha Marko Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “”, shtoi ai.

CMM synon t’ia mundësojë qeverive t’i përcaktojnë piketat lidhur me kapacitetin e sigurisë kibernetike në pesë dimensione: politika dhe strategjia e sigurisë kibernetike; kultura dhe shoqëria kibernetike; arsimimi, trajnimi dhe kualifikimet në sigurinë kibernetike; kornizat ligjore dhe rregullatore; standardet, organizatat dhe teknologjitë. GCSCC dhe partnerët e saj ndërkombëtarë strategjikë e kanë zbarkuar CMM-në në më shumë se 80 shtete të botës që nga pilotimi i saj në Kosovë në 2015.

“Ne e përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për përparimet në kapacitetin e sigurisë kibernetike që nga viti 2015. Rishikimi i CMM-së për 2015 dhe Rivlerësimi i CMM-së për 2029 – i pari i kryer globalisht – kanë përkuar gjerësisht me fillimin dhe mbarimin e ciklit të Strategjisë së parë Shtetërore të Sigurisë Kibernetike. Si i tillë, rishikimi i dytë i CMM-së dha mundësi të shkëlqyeshme për ta vlerësuar përparimin në drejtim të një baze të fortë dhe t’i përcaktojë prioritetet për një strategji pasuese”, tha Michael Goldsmith, bashkëdrejtor i GCSCC. /Telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme