Dy gratë që mund ta transformojnë Evropën

07:22 | 28 Qershor 2020
arbresh.info

Folur përgjithësisht, shtëpia e Ursula von der Leyenit është Brukseli. Në fakt, ajo i ka kaluar trembëdhjetë vjet të jetës në kryeqytetin belg – dhe realisht evropian. “Për mua, kur udhëtoj për Bruksel, e kam ndjenjën se po kthehem në shtëpi”, thekson ajo.

Por, nëse e ngushtojmë edhe më shumë këtë diskutim, shtëpia e Von der Leyenit është një hapësirë prej 25 metrash katrorë në selitë e Komisionit Evropian në Bruksel. Ajo është presidente e këtij mekanizmi, që në fakt është krahu qeveritar i Bashkimit Evropian. Von der Leyen bën gjumin në një banesë të vogël ngjitur me zyrën e saj që lidhet anash nëpërmjet një dere që nuk bie në sy, transmeton KOHA.

Timoni gjerman

Nganjëherë, fundjavën e kalon në Burgdorf, afër Hanoverit në Gjermani, ku jeton familja e saj – një tjetër shtëpi. Dhe pastaj merr udhë edhe drejt Berlinit, ku Von der Leyen ishte ministre për katërmbëdhjetë vjet me radhë. Nëse flasim në aspektin intelektual, edhe kryeqyteti gjerman është shtëpi e saj – këtë ndjenjë e ka sidomos kur flet me telefon me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Gjatë atyre thirrjeve, dy gratë kënaqen duke biseduar. Von der Leyen dëshiron të dijë se çfarë të diskutojë me ministrat që i përkasin Unionit Kristiandemokrat (CDU) dhe të partisë së tyre simotër në Bavari, Unioni Kristiansocial (CSU), para takimeve të të mërkurave të kabinetit qeveritar. “Edhe tani më mungoi gjallëria e Berlinit”, thekson ajo. Merkel dëshiron ta marrë vesh se kush çfarë mendon brenda Bashkimit Evropian. Të dyja i dërgojnë njëra-tjetrës përditë mesazhe telefonike.

Dhe, duke nisur nga 1 korriku, kjo frekuencë e këmbimeve të mesazheve pritet të shpeshtohet. Në këtë ditë Gjermania do të marrë kryesimin e radhës të Këshillit Evropian dhe do ta kryesojë atë për gjashtë muaj. Prej asaj dite, dy gra gjermane do t’i prijnë BE-së – dy gra që kanë të kaluar të gjatë të përbashkët dhe raporte historike krejt të ndryshme me Evropën.

Viktimë e pandemisë

Do të jetë e vështirë për to. Presidenca gjermane e Këshillit Evropian vjen në kohën kur BE-ja është më e dobët se kurdoherë: ndasi të brendshme, Brexiti, beteja ndërmjet Kinës dhe SHBA-së që ka margjinalizuar Evropën – dhe kriza e COVID-19, që në fillim vuri në pah se si shtetet anëtare të bllokut e kishin vetëm hallin e vet./KOHA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme