Google ADS

Kontestohen veprimet e Speciales, ekspertët thonë se u bë shkelje me publikimin e aktakuzës

18:04 | 27 Qershor 2020
A. B.

Të mërkurën më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka njoftuar se më 24 prill i ka paraqitur për shqyrtim një aktakuzë gjykatësit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) ku pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje.

“Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”, thuhet në njoftim.

Por për t’u shndërruar këto pretendime në aktakuzë të konfirmuar, një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar atë për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat apo jo. Afati nga kur pritet të merret ky vendim është jo më shumë se 6 muaj nga afati i dorëzimit, në këtë rast 6 muaj nga 24 prilli.

Me t’u bërë publik ky lajm, kishte shumë reagime e hipoteza nga faktorë të brendshëm e të jashtëm.

Për Bodo Weber, analist nga Berlini, njohës i zhvillimeve në Ballkan, publikimi i aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë një gjë “e pritshme dhe e papritshme”.

Sipas Weberit, lëshimi i pazakontë i informacionit mbi aktakuzën para konfirmimit nga Gjykata, sugjeron se kjo është e lidhur me raundin e bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë dhe frikën e prokurorit që presidenti Thaçi synon të negociojë një lloj amnistie.

“Po të kemi parasysh përpjekjet e presidentit Thaçi në tre vitet e kaluara për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë – duke privatizuar qëndrimin negociues të palës kosovare, këmbënguljen për ta futur Kosovën në një marrëveshje të rrezikshme për ndryshim territoresh – dhe se këto ai i ka bërë për të shpëtuar nga padia e Gjykatës Speciale, atëherë ishte e qartë që Thaçi një ditë do të thirrej nga kjo gjykatë. Vendimi i jashtëzakonshëm i prokurorëve për ta publikuar aktpadinë paraprake, para se të merrte vendim gjykata, ka të bëjë me këto veprime të presidentit. Fakti që prokurorët zgjodhën këtë ditë, dëshmon për frikën e tyre për ndonjë pazar të mundshëm në negociatat që do të bëheshin të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht nëse ky shqetësim ishte i bazuar apo jo”, thotë Weber.

Prokurori i Specializuar, në njoftim, thotë se e gjykon të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak, siç thuhet në kumtesë, të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.

“Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, z.Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Përpos stuhisë së reagimeve se po njolloset imazhi i Kosovës dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pati edhe zëra që thanë se është bërë shkelje e Rregullores së punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës me publikimin e aktakuzës nga Prokurori Special pa u vërtetuar e njëjta nga Gjykata.

Avokati amerikan me origjinë kroate, Luka Misetiq, avokat mbrojtës i gjeneralit kroat Ante Gotovina në Gjykatën e Hagës, përmes Twitterit ka ngritur dyshime se mund të jetë bërë vepër penale në rastin kur Prokurori i Specializuar ka publikuar aktakuzën ndaj liderëve politikë të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

“Nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk ka marrë leje nga gjykatësi për të zbuluar aktakuzë konfidenciale, ekziston pyetja nëse vetë Prokurori ka kryer një krim duke zbuluar informacione konfidenciale. Zyra e Prokurorit të Specializuar është subjekt i ndjekjes penale për zbulime të paligjshme”, ka thënë Misetiq.

Rregullorja e Punës për Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, pika 88, specifikon tri raste kur lejohet publikimin e aktakuzës.

“Statusi publik i aktakuzës

(1) Varësisht prej paragrafit (2), pas konfirmimit prej gjykatësit të procedurës paraprake, aktakuza bëhet publike.

(2) 1Në rrethana të posaçme, në rast se para konfirmimit të aktakuzës Prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme, për arsye të sigurisë, për parandalimin e arratisjes së të akuzuarit, apo të çrregullimit të procedurave, ose trazirave shoqërore, gjykatësi i procedurës paraprake, ndër të tjera, mund të urdhërojë përkohësisht mosnxjerrjen publike të aktakuzës, dokumenteve ose informacionit që ka lidhje me aktakuzën deri në një urdhër të dytë.

2. Sidoqoftë, aktakuza bëhet publike, nëse është e nevojshme me redaktime, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit.

(3) Pavarësisht nga paragrafi (2), Prokurori i Specializuar mund t’u bëjë të njohur aktakuzën ose një pjesë të saj autoriteteve të një shteti të tretë apo subjekti tjetër, në qoftë se e gjykon të nevojshme për hetimin ose ndjekjen penale”, shkruan në pikën 88 të kësaj rregullore.

Anton Nrecaj, këshilltar i lartë ligjor në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, në një intervistë për “Zërin” thotë se nëse i referohemi pikës 3 të nenit 88 të Rregullores së Punës së Për Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se Prokurori i Specializuar mund t’u bëjë të njohur aktakuzën ose një pjesë të saj autoriteteve të një shteti të tretë apo subjekti tjetër, në këtë rast do të duhej të informoheshin vetëm institucionet e vendit.

Por ai konsideron se këto institucione, sipas prokurorit special, po rezultojnë të jenë të pabesueshme

“Mund të jetë EULEX-i sepse e ka këtë mandat. Mund të jenë institucionet e sigurisë, inteligjencës, mund të jenë të KFOR-i sepse edhe KFOR-i e ka kompetencën e çështjeve të sigurisë. Poashtu mund të ishin informuar institucionet e drejtësisë në vend mirëpo, në këtë rast konsideroj se këto institucione sipas prokurorit special po rezultojnë të jenë jo të besueshme”, deklaron Nrecaj.

Ai konstaton se rregullorja e punës është shkelur në të gjitha aspektet, si në aspektin procedural si në aspektin e mbrojtjes të të drejtave të njeriut. Sipas tij, aktakuza publike është dashur të bëhet vetëm në rastin kur refuzohet apo aprovohet nga Gjykata, respektivisht nga gjyqtari i lëndës paraprake.

“Në këtë rast, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit iu janë shkelur të drejtat dhe liritë e njeriu, iu është cenuar integriteti atyre personave. Dhe ata e kanë mundësinë që në një procedurë tjetër të fillojnë proces gjyqësor për shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut. Argument që duhet ndjekur është edhe shkelja e Kodit të Procedurës Penale sepse kjo gjykatë funksionon në kuadër të Kornizës Ligjore të Kosovës. Që nga starti procesi ka filluar me shkelje”, thekson ai.

Nrecaj sqaron se çfarë është e paraparë me ligj në këtë rast, pra se çka pritet të ndodhë me propozimin për aktakuzë ndaj Thaçit, Veselit dhe personave të tjerë të cilëve nuk u janë bërë publikë emrat.

“Në momentin kur gjyqtari e pranon lëndën, i ka disa opsione. Opsioni i parë është që ta hedhë poshtë, opsioni i dytë është që ta aprovojë në tërësi dhe opsioni tjetër që ia mundëson ligji është që pjesërisht ta hedhë aktakuzën dhe pjesërisht ta aprovojë aktakuzën”, deklaron ai.

Megjithatë, Nrecaj i bën thirrje presidentit Thaçi që automatikisht të japë dorëheqje nga pozita që mban. Sipas tij, nëse nuk ndodh kjo, atëherë do të jetë rasti i dytë kur një politikan në Ballkan do të përdor kolltukun në ballafaqim me drejtësinë.

“Nuk guxon në asnjë moment si president i shtetit të jetë në bankën e të akuzuarve. Kjo ka ndodhur vetëm me Sllobodan Millosheviqin, i cili kolltukun e presidentit e ka ruajtur deri në momentin e fundit. Nuk guxojmë në asnjë moment të bijmë në një nivel me një person që ka qenë ‘kasap i Ballkanit’. Automatikisht duhet të japë dorëheqje presidenti Thaçi në mënyrë që të ruhet integriteti i postit shtetëror të presidentit”, deklaron Nrecaj për “Zërin”.

Për Ehat Miftarajn, Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), publikimi i njoftimit lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj Thaçit dhe Veselit është një praktikë e re dhe kundërthënëse me praktikën e deritanishme të Zyrës së Prokurorit të Specializuar si dhe ka qasje selektive.

“Përderisa për aktakuzat e publikuara me herët nuk janë publikuar, emrat me rastin e Presidentit Thaçi dhe Kryetarit Veseli kjo praktikë ka ndryshuar. Sikurse njoftimi i publikuar përmend vetëm dy emra dhe jo edhe personat tjerë të akuzuar. Një qasje e tillë poashtu nuk është në linjë me dokumentet e brendshme të miratuara nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara”, thotë ai.

Për “Zërin”, Miftaraj deklaron se nëse prokurori i rastit për këtë veprim nuk ka marrë pëlqimin e gjykatës dhe nuk e arsyeton veprimin e ndërmarr me dëshmi dhe prova sikurse i ka potencuar në njoftimin e publikuar, mund të ketë ndikim në pavarësinë dhe profesionalizmin e tij.

Ndërkohë presidenti i vendit Thaçi ka lajmëruar se ditën e diel do i drejtohet qytetarëve dhe mediave lidhur me këtë çështje.

Të ngjashme