Google ADS

“Është urgjente ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese”, Meta fton në takim Ruçin

15:03 | 26 Qershor 2020
Arbresh.info

Gjatë fjalës së tij, në një konferencë për mediat, presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri të ditur se i ka dërguar një shkresë kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi për një takim fill pas raportit final të Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Metës është urgjente ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë kushtetuese.

“Si President i Republikës, siç kam qenë gjithmonë i palodhur në kërkim të bashkëpunimit për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, do të vijoj të jem kështu edhe pas raportit final të Komisionit të Venecias dhe sot i kemi përcjellë shkresën zyrtare kryetarit të Kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë që ai të ketë mundësi, duke filluar nga e hëna që vjen.

Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale në interes të shqiptarëve, por edhe sa i takon procesit të integrimit, sepse është kryekusht nga PE-ja. Padyshim që edhe Bundestagu dhe KE, PE, parlamenti danez, e të tjerë do ta marrin në variantin origjinal raportin e Venecias.

Shpreh vendosmërinë e Presidentit për të qenë gjithmonë bashkëpunues me të gjitha institucionet, siç kam qenë përherë, në mënyrë që në Shqipëri Reforma në Drejtësi të fitojë shpejtësinë e humbur dhe të rifitojë besimin e qytetarëve. Kjo realizohet jo përmes interpretimeve sipas dëshirave apo interesave të secilit, por vetëm përmes respektimit të Kushtetutës dhe ligjit nga të gjithë. Së dyti, implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Rekomandimet janë të qarta edhe në shqip”, tha Meta.

Më tej shtoi:

“Në rast se nuk do ishte minuar ky takim, Shqipëria nuk do kishte mbetur asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese. as opozita s’do kishte ikur nga parlamenti, po dhe negociatat do ishin çelur me kohë. Nga Venecia s’kam pritur dekoratë për vendimet e mia, Luanin e Artë e mora vitin e kaluar. Ishte mungesë vullneti për të lexuar kushtetutën dhe ligjet në mënyrë të paanshme. Duhet urgjentisht të bëjnë detyrat institucionet, edhe vlerësimet e mia do ua dërgoj të gjithëve. I mirëpres të gjithë sugjerimet për ato se çfarë duhet të përmbush unë, jo sot po dje. Nuk duhej kurrsesi ta kishim këtë kusht nga BE, sepse s’ka vend në botë pa Gjykatë Kushtetuese. Nga sot, secili t’i lexojë vetë dhe të ndërgjegjësohet , duhet të shohim vetëm Kushtetutën, momenti i fundit për të ngritur besimin te shteti ligjor.”/TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme