95 raste të reja me Covid-19

22:18 | 24 Qershor 2020
L G

Edhe 95 raste të reja me koronavirus janë regjistruar sot në Kosovë.

Kështu e ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë(IKSHPK).

Sipas këtij Instituti, rastet e reja pozitive me Covid-19 vijnë nga komuna e Pejës, Vitisë, Prizrenit Prishtinës./arbresh.info

Njoftimi i plotë:

63 TË SHËRUAR DHE 95 RASTE ME COVID-19!

Sot më 24 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 311 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 95 raste.

Rastet pozitive janë nga: komuna e Pejës 18 raste, komuna e Vitisë 16 raste, komuna e Prizrenit 15 raste, komuna e Prishtinës 15 raste, komuna e Mamushës 8 raste, komuna e Gjilanit 8 raste, komuna e Gjakovës 3 raste, komuna e Istogut 2 raste, komuna e Lipjanit 2 raste, komuna e Mitrovicës 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Fushë Kosovë, Kllokot, Malishevë, Obiliq, Rahovec dhe Vushtrri.

Sot më 24 qershor 2020, janë shëruar 63 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.171 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 24 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 22.444 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 2.363 raste, me gjithsej 40 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 23 qershor 2020 sipas Ëorldometers, janë raportuar gjithsej 9.421.923 raste të COVID-19 dhe 481.430 raste të vdekjes.

Të nderuar qytetarë!

Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.

Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet kanë kaluar muajin prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike e private, kemi rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim, ndërsa BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike.

Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre lëvizjeve dhe aktiviteteve, shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.

Si pasojë e mos bartjes së maskave nga ju, qytetarë të nderuar, po rrezikohet shëndeti i juaj dhe i qytetarëve të tjerë dhe po rëndohet situata e përgjithshme epidemiologjike që po mbahet nën kontroll me mund të madh të ekipeve të profesionistëve të Institutit Kombëtar.

Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.

IKSHPK e kupton shqetësimin e secilit qytetar për statusin e gjendjes së tij shëndetësore kur ata rezultojnë pozitiv në SARS CoV-2, por qytetarët duhet ta marrin seriozisht apelin tonë për t’i zbatuar me përpikëri rekomandimet dhe bartjen e maskave në vende ku ka grumbuj njerëzish dhe nuk mund të mbahet distanca nën 2 m.

Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve për shërbime shëndetësore, bëjmë apel te punëtorët shëndetësor t’iu përmbahen rekomandimeve të IKSHPK në aplikimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacientëve dhe të gjithë qytetarëve të vendit.

Rekomandojmë SHSKUK të përgjysmojë të gjitha shërbimet dhe të ndalojë rreptësisht hyrjen e përcjellësve në reparte, shërbime specialistike dhe klinika

Përpjekja e madhe e përbashkët e derisotme mund të na shkojë huq për shkak të pakujdesisë së mos përmbajtes së tri rregullave themelore, të cilat duhet të jenë përditshmëri e jona edhe pa pandemi, e që nënkupton: mbajtjen e distancës fizike, mbajtjen e maskave dhe larjen e duarve me kujdes disa herë në ditë, për 20-30 sekonda.

Këta numra të këtyre ditëve flasin shumëçka. Këta numra tregojnë përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit, si dhe drejt mbingarkimit pastaj të institucioneve shëndetësore, gjegjësisht të Klinikës Infektive ku fatkeqësisht personat me sëmundje shoqëruese dhe të moshuarit mund të përfundojnë fatalisht.

Kjo ndodhë për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve, për shkak të përfshirjes pastaj të njerëzve të moshave të ndjeshme të moshuara, për shkak të përfshirjes së njerëzve me sëmundje kronike të cilët nuk janë të mbrojtur, sepse fatkeqësisht për këtë sëmundje ende nuk ka terapi dhe parandalim me vaksinë dhe e vetmja mundësi e parandalimit është përmbajtja e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.

Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Çdo hap që bëjmë përpara, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë. Të kujdesimi dhe ta ruajmë këtë situatë të qëndrueshme duke pasur parasysh situatën më të rënduar epidemiologjike në shumë shtete të botës.

Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!

Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!

Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!

Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!

IKSHPK do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në zbatimin e Planit të Veprimit të Planit të Gatishmërisë dhe Reagimit kundër koronavirusit Covid-19, dhe të ruaj shëndetin publik të popullatës.

Të dashur qytetarë!

Ju lutemi që t’iu përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike.

Virusi nuk ka këmbë! Mos ia jepni këmbët ju!

NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme