Google ADS

Shqiptarët në Mal të Zi gati për një listë të përbashkët për zgjedhjet parlamentare

11:33 | 24 Qershor 2020
Arbresh.info

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi do të mbahen me 30 gusht të këtij viti. Në lidhje më këtë edhe kanë filluar përgatitjet e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi për mënyrën se si ata do të paraqiten.

Kryetari i Forcës Nazif Cungu në një post të tij ka uruar partitë shqiptare për suksesin në zgjedhjet parlamentare në Serbi.

“Uroj partitë shqiptare të Luginës së Preshevës për rezultatin elektoral në zgjedhjet e fundit. Me këtë rast dua të vlerësoj vendimin e mençur të udhëheqësve të subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës për formimin e një koalicioni të përbashkët parazgjedhor gjë që mundësoi maksimalizimin e votave shqiptare në Serbi dhe mbajtjen e komunës së Bujanocit nga partitë shqiptare”, shkruan Cungu, transmeton Ulqini Online.

Ai ka vazhduar duke potencuar se Forca e Re Demokratike gjithmonë ka qenë partia e parë që ka bërë thirrje për një listë të përbashkët elektorale të partive shqiptare në Mal tē Zi.

”Forca e Re Demokratike gjithmonë ka qenë partia e parë që ka bërë thirrje për një listë të përbashkët elektorale të partive shqiptare në Mal tē Zi. Rezultati që patëm në Tuz është dëshmia më e mirë që bashkimi bën fuqinë. Vazhdoj të jem i bindur se një marrëveshje e ngjashme për zgjedhjet e ardhshme është një hap në drejtimin e duhur për avancimin e të drejtave të popullit shqiptar brenda Malit të Zi”, përfundion Cungu.

Edhe kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj ka thënë se shqiptarët kur bashkohen ata gjithmonë fitojnë.Ai përmes kësaj deklaratë ka thënë se i gëzohet rezultateve të shkëlqyera të zgjedhjeve në Luginën e Preshevës.

“Jam shumë i lumtur për rezultatet e shkëlqyera që subjektet shqiptare arritën në Luginën e Preshevës. Mbas fitores së madhe të shqiptarëve në Tuz, në marsin e vitit të kaluar, fitorja e shqiptarëve në Serbi dëshmon më së miri se kur shqiptarët bashkohen përherë fitojnë!”, theksoi Gjeloshaj.

Gjeloshaj, ftoi që subjektet politike shqiptare në Ulqin të reflektojnë dhe të bashkohen, pa kushte ashtu sikur vepruan ata në Tuz.

“Me këtë rast dua edhe publikisht t’i ftoj subjektet shqiptare në Ulqin, që të reflektojnë dhe të bashkohen pa kushte, por në bazë të principeve të punës dhe suksesit në vepër, se vetëm në këtë mënyrë ata mund t’a kthejnë qeverisjen në Ulqin, sikur ne vepruam në Tuz!”, theksoi Gjeloshaj. Ai shtoi se shpreson që të vazhdohet fryma e bashkimit të shqiptarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme