Google ADS

Demaj: Pa pajtimin e opozitës nuk mund të ketë marrëveshje finale

00:08 | 24 Qershor 2020
Trina Galanxhi

Frashër Demaj, deputet i LDK-së, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se pa pajtimin e opozitës nuk mund të ketë marrëveshje finale me Serbinë.

Ai thotë se mos ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend mund të rezultojë me humbjen e shumë fondeve për Kosovën.

“Për fat të keq edhe sot nuk kishte mirëkuptim ndërmjet koalicionit qeverisës dhe opozitës. PDK-ja dhe VV-ja refuzuar të votojnë këto marrëveshje ndërkombëtare. Tash sigurisht se do të ketë një debat më të gjerë në mënyrë që të gjejmë gjuhën e kompromisit në mënyrë që të mos i humbim këto fonde, kur dihet gjendja në të cilën jemi. Ekonomia ka nevojë për një infuzion financiar. Shteti ka përgjegjësinë dhe obligimet që të merret edhe me COVID-in. Shpresoj se deputetët do të gjejnë arsye dhe t’i votojnë këto marrëveshje pasi do të vijnë sërish në Kuvend”, ka thënë Demaj.

Ai thotë se për çështjet me interes nacional pozita e opozita duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët.

“Qeveria ndërmjet VV-së dhe LDK-së nuk ishte shumë jetëgjatë. Prej momentit të mocionit ne kishim një qeveri në detyrë, dhe ku ajo është në detyrë marrëdhëniet nuk janë njësoj sikur ajo është aktive. Këtu ka pasur hezitime në këtë raport, por për fat të keq ne jemi inatçi dhe për shkak të kësaj rrezikojmë, prandaj jam për ndryshim të diskursit”, ka thënë Demaj. “Qytetaria e Kosovës është ajo që e vlerëson se kush është i miri apo i keqi. Sot për mendimin tim kanë bërë një gabim të madh partitë. Kosova mund të humbë shumë nga mos ratifikimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare”.

Sipas tij heqja e taksës dhe reciprocitetit është bërë në harmoni me SHBA-në, vendet e BE-së dhe Britaninë e Madhe, dhe se një gjë e tillë nuk është në dëm të interesave të Kosovës.

“Shtetet e vogla po nuk qenë aleat me të mëdhenjtë asnjëherë nuk mund të realizojnë interesat e tyre, as politike, as ekonomike, as gjeostrategjike. Kosova nuk ka asnjëlloj perspektive pa SHBA-në, Britaninë, Gjermaninë e shtetet e tjera të mëdha”, ka thënë Demaj.

Ai thotë se marrëveshjen finale me Serbinë duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës.

“Shkuarja në Washington nuk nënkupton përfundimin e procesit, ndoshta kjo mund të jetë fillimi i fazës së fundit të bisedimeve. Në një moment të caktuar do të ketë marrëveshje, por jam i sigurt se nuk ka asnjë lloj të presioni të SHBA-së në raport me Qeverinë e Kosovës për të firmosur ndonjë marrëveshje që cenon interesat e Kosovës. Në bisedimet me Serbinë duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë Demaj.

E një marrëveshje finale me Serbinë do të mund t’i hapte rrugë shumë çështjeve të tjera të rëndësishme.

“Nëse Kosova dhe Serbia bien në një marrëveshje për njohje reciproke të njëra tjetrës, pastaj këto hapin çështje të tjera me interes siç është çështja e të zhdukurve. Pastaj Serbia ka plaçkitur trashëgiminë kulturore. Momenti që i hap rrugë këtyre çështjeve është ai i njohjeve reciproke. Na krijohet mundësia për anëtarësim në organizata të tjera me shumë rëndësi siç janë OKB, UNESCO, INTERPOL etj. Madje kam kërkuar që të ketë akomodim të opozitës në procesin e dialogut”, ka thënë Demaj.

Ai thotë se s’mund të ketë marrëveshje finale pa u pajtuar edhe opozita.

“Qeveria nuk ka nevojë që të lëshohet në kompromise, por ajo duhet ta respektojë plotësisht Kushtetutën. Gjithçka do të jetë transparente dhe pa pajtimin e opozitës nuk mund të ketë marrëveshje finale. Janë serioze edhe Vetëvendosje edhe PDK-ja. Pra, interesi është i përgjithshëm. Edhe në këtë rast kam dyshime te Serbia, por kam besim në SHBA-në dhe në vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Demaj./koha.net/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme