Google ADS

Mesazhi i dhimbshëm i vajzës nga Krusha: 22 vite nuk barazohen me 241 jetë njerëzish

20:11 | 23 Qershor 2020
A. B.

Gjykata Themelore e Prizrenit të hënë vendosi ta dënoj me 22 vite burgim për serbin i cili kreu krime lufte në Krushë të Madhe e të Vogël, Darko Tasiq.

E për familjarët e të vrarëve ky dënim ishte i papranueshëm, pasi që kërkonin dënim me burg të përjetshëm për të, shkruan arbresh.info

Fatjona Hoti nga Krusha e Madhe e cila në luftën e vitit 1999 kishte humbur babain, e përmes një postimi në rrjetet sociale Fatjona ka emocionuar me një mesazh prekës.

Unë jam po-ashtu ajo që qan tek varri i babit, ku ka vetëm një pjesë të trupit të tij. Kur isha e vogël, familja ime nga Krusha e Madhe numronte më shumë të vrarë se sa të gjallë. U rrita duke parë më shumë lot se buzëqeshje- ka shkruar Fatjona ndër të tjera.

Postimi i saj i plotë në Facebook:

Letër në mes ndjenjave e humbjes së babit dhe fushës juridike,

Unë sot po shkruajë në cilësinë e vajzës së Flurim Hoti, dhe jo nga asaj i fushës juridike nga Kosova. Edhe nga ai front do shkruajë, por me kohë.

Unë jam një nga fëmijët që u rritën në mungesën e një prindi, e një axhi por edhe kushërinjëve. Unë jam po-ashtu ajo që qan tek varri i babit, ku ka vetëm një pjesë të trupit të tij. Kur isha e vogël, familja ime nga Krusha e Madhe numronte më shumë të vrarë se sa të gjallë. U rrita duke parë më shumë lot se buzëqeshje. U rrita duke parë gra pa burra, fëmijë pa prindërit e prindër pa fëmijë. Cdo ditë unë jam në mungesë të madhe të babit tim. Ai nuk vdiq se kishe sëmundje, ai u VRA. Ai nuk e pati mundësinë për të jetuar me mua, edhe pse isha në duart e tij para se ta merrnin.

Mbaj mend historinë se qysh gjyshja ime e ndjerë Arife më tregoj për biseden e saj të fundit me babin tim:

Arife: Flurim, ama qiken – i thashë. Oh sa rëndë i erdhi, m’u duk se më thoshte me sy që mos ma merr qiken nga duart. Sic duket, gjyshja ime u frikësua se bashkë me babin do kisha të njëjtin fat.
A më tregoni vallë, se ato vuajtjet emocionale gjyshës sime kur i pa djemtë të i iknin nga dora kush do i zhdukë? A më tregoni ku po mbesin vuajtjet e nënës sime, që ishte më e re se unë në këto momente, me dy fëmijë në krahë e ndjeu momentin kur ja vranë burrin? A më tregoni se a mund të jeni aq të fuqishëm sa të fundoseni në ndjenjat tona ashtu sic u bëmë ne? Unë e ndjejë mungesën e tij, ani pse zërin e tij e ndëgjova për herë të parë në moshën më të mirë të një fëmiu nga një video. Ishin dy minutat më të mira të jetë sime. Cdo natë i kam folur nga dritarja e me sy nga qielli, e i kam tregu që e dua aq shumë sa më dhemb.

Cdo herë i kam thurr vargje e kengë, cdo herë jam lutur për të… edhe pse sa vite kanë kaluar. Më dhemb shumë të mendojë që dënimi i dhënë prej njëzet e dy viteve pretendohet të jetë shërim i plagëve tona. Po të vendosni të hyni në zemrën time apo dhimbjet, at’herë ju duhet të jeni si guri apo të gatshëm me u rrëzu shumë herë.

Unë amanetin e babit, për me përfundu shkollimin e kam dërgu në vend, me ndihmën e pa-kompenzueshme të familjes sime. Por, une edhe këtë edukim do e shfrytëzojë aty ku duhet. Sot po ju shkruajë me një bagazh tjetër, ku pas vete numrojë tre diploma, një në Kosovë, një në Gjermani e një në Amerikë. Për këto diploma, e kam një emër e ai është FLURIM HOTI. Për babin që e vranë pa mëshirë, për mungesën e tij, për të gjitha ato momente që nuk munda me thirrë emrin BABË.

Unë jam këtu nga dhimbja, unë po shkruajë nga dhimbja. Si unë, ka plot të tjerë që nuk do lejojnë që të shkelin përmbi trupave të personave tonë më të dashur.

Njëzet e dy vite nuk barazohen me 241 jeta te humbura, dhe jo vetem por te masakruar. Kjo dhënie e dënimit nuk barazohet edhe me dhimbjen e gjithësecilit qe humbën më të dashurit e tyre.

Kujtojmë se Darko Tasiq u akuzua pë vrasje dhe djegje të kufomave në Krushë të Madhe dhe të Vogël./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme