Di Maio: Do të punojmë me Gjermaninë për të forcuar marrëveshjet me BE

19:45 | 22 Qershor 2020
Arbresh.info

Gjatë takimit të përbashkët, ministrat e jashtëm të Italisë dhe Gjermanisë gjithashtu shprehën shqetësime për situatën në Libi dhe bëjnë thirrje për armëpushim.

Italia dhe Gjermania duhet të punojnë krah për krah për t’u mundësuar anëtarëve të BE-së të kapërcejnë ndarjet e tyre dhe të arrijnë një marrëveshje ambicioze rreth fondit evropian të rimëkëmbjes, theksoi të hënën ministri i Jashtëm i Italisë.

“Ne nuk mund të pranojmë kompromise që mund të jenë të dëmshëm për të ardhmen e Evropës”, tha Luigi Di Maio pas takimit me homologun e tij gjerman Heiko Maas në Romë.

Di Maio theksoi se divergjencat midis vendeve anëtare të BE-së janë “të dukshme”, dhe se Roma dhe Berlini duhet të punojnë së bashku për “të kapërcyer hendeqet dhe të gjejnë një marrëveshje ambicioze sa më shpejt të jetë e mundur”.

Drejtuesit e BE-së janë akoma të ndarë rreth propozimit të Komisionit Evropian për të ndarë 750 miliardë euro për fondin e ri të rimëkëmbjes, që synon të ndihmojë vendet që janë goditur më shumë nga pandemia e koronavirusit. Propozimi ka nevojë për miratim nga të gjithë anëtarët për t’u bërë efektiv.

Di Maio dhe Maas diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit në Libi, të cilat ministri italian i cilësoi si “shumë shqetësuese”.

“Italia shqetësohet se operacioni për çlirimin e qytetit Sirte mund të çojë në luftime të reja dhe të shkaktojë më shumë viktima civile”, tha Di Maio, duke përsëritur se zgjidhja politike e konfliktit libian vazhdon të mbetet opsioni i vetëm.

“Ne do ta mbrojmë Libinë nga çdo përpjekje për ta përçarë atë”, shtoi Di Maio.

Presidenti egjiptian, Abdel-Fattah al-Sisi, të shtunën aludoi në mundësinë e dërgimit të “misioneve të jashtme ushtarake nëse kërkohet” dhe tha se “çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë në Libi tashmë është bërë e ligjshme ndërkombëtarisht”.

Duke iu përgjigjur pyetjes në lidhje me kërcënimin e Sisi-t, Maas përsërit thirrjen e tij për vendet e rajonit që morën pjesë në Konferencën e Berlinit në shkurtin e kaluar, përfshirë Egjiptin, që të kontribuojnë për zgjidhje politike.

Ai shprehu shpresën se përfaqësuesit e qeverisë së Libisë të njohur nga OKB dhe komandanti puçist Khalifa Haftar do të rifillonin bisedimet për armëpushim së shpejti, me mbledhjen e takimit mjaft të vonuar të komitetit ushtarak “5+5”.

“Tani pritet nga pjesëmarrësit e Konferencës së Berlinit të japin kontributin e tyre, në mënyrë që kjo mbledhje midis palëve në konflikt të mund të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Libia është përfshirë në një luftë civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e Libisë u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB, por përpjekjet për zgjidhje politike afatgjatë dështuan për shkak të ofensivës ushtarake të komandantit puçist Khalifa Haftar.

Në mars, qeveria libiane nisi Operacionin “Stuhia e Paqes” duke iu kundërpërgjigjur sulmeve mbi kryeqytetin. Kohët e fundit qeveria rimori disa vende strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe qytetin strategjik Tarhuna, fortesa e fundit e Haftarit në Libinë perëndimore./AA/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme