Google ADS

Bujar Ejupi emërohet drejtor në Autoritetin e Aviacionit Civil, Ekrem Kastrati kryeinspektor i punës

18:18 | 22 Qershor 2020
Arbresh Info

Në mbledhjen e Qeverisë sot është marrë vendim për themelimin e Komisionit Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj pandemisë COVID-19.

Kryeministri Avdullah Hoti theksoi se ky komision është themeluar me qëllim që të informojë kryeministrin dhe ministrin e Shëndetësisë për aktivitetet e luftimit të pandemisë.

Hoti ka paraqitur edhe përbërjen e këtij Komisioni me 20 anëtarë, nga institucionet relevante shëndetësore, përfshirë edhe infektologë të pavarur dhe studiues të fushës.

“Në bazë të rregullores së punës të Qeverisë, parashihet të themelohet Komisioni ekzekutiv që ka për qëllim të shqyrtojë dhe informojë qeverinë për çështje të caktuara në lidhje me COVID-19 dhe t’i propozojë qeverisë dhe institucionet tjera ndërmarrjen e veprimeve përkatëse për luftimin dhe përballje me COVID-19. Të gjitha institucionet shëndetësore nga ministria, Instituti Kombëtar dhe institucionet tjera vartëse, sigurisht i mbajnë të gjitha kompetencat e tyre ekzekutive”, theksoi Hoti.

Ndërsa, me propozim të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, në këtë Komision janë përfshirë edhe përfaqësues nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë dhe Sindikata e shëndetësisë.

Me vendime të veçanta, kabineti qeveritar ka rikthyer sekretarët e ministrive të shkarkuar nga ish-kryeministri Albin Kurti: Burim Rreci në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Izedin Bytyqi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Lulzim Ejupin në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Në mbledhjen e sotme është emëruar edhe Bujar Ejupi në pozitën e drejtorit të përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, ndërsa Ekrem Kastratin në pozitën e kryeinspektorit të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ardian Bujupit i është vazhduar mandati i anëtarit të Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit nga Ministria e Drejtësisë.

Ndërsa, në mbyllje të mbledhjes, kryeministri Hoti ka kërkuar që ministrat nga resorët ekonomikë të analizojnë masat për rimëkëmbje ekonomike të programit qeverisës në mënyrë që të identifikohen hapat e nevojshëm për zbatimin e tyre.

Hoti ka kërkuar nga anëtarët e kabinetit qeveritar që të përkushtohen në përmbushjen e agjendës legjislative dhe të jenë prezentë në të gjitha seancat e Kuvendit të Kosovës.

“Lus ministrat e resorëve ekonomik të Financave, Tregti e Industri. Bujqësia, Zhvillimi ekonomik dhe ministri i Punës, të uleni të shihni masat që i kemi të parapara në programin qeverisës që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike, duhet që brenda disa ditëve të detalizohen dhe të dimë se si të procedojmë përpara përmes ndryshimeve ligjore ose aktive të tjera që duhet ndryshim për të bërë të mundur që të zbatohen ato masa sapo të miratohet buxheti në Kuvendin e Kosovës”, tha Hoti.

Në mbledhje është emëruar edhe Komiteti për Partneritet Publiko-Privat në përbërje të anëtarëve të përhershëm të ministrave të dikastereve si në vijim.

Ndryshe, mbledhjet e qeverive tash e tutje pritet të mbahen ditëve të mërkurë.

 

Të ngjashme