Sot, më 21 qershor, shënohet Dita Botërore e Muzikës e njohur me emrin “Fête de la Musique” (Festivali i Muzikës).
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për nder të kësaj dite, shpall laureatët e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, konkretisht Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” si dhe çmimet tjera vjetore në këtë fushë.
Në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale për ndarjen e çmimeve në fushën e muzikës, ministrja Vlora Dumoshi, ka marrë vendim që çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” t’i ndahet kompozitorit Vinçenc Gjini, me motivacionin e profesionistit muzikor të shumanshëm dhe kontributit gjysmë shekullor në fushën e muzikës.
“Fillimisht dua t’i uroj të gjithë muzikantët, artistët e profesionistët muzikorë, kompozitorët dhe tërë muzikdashësit për Ditën Botërore të Muzikës. Edhe Kosova i bashkohet vendeve tjera të Botës me shënimin e kësaj dite. Të gjithë fituesve ua uroj çmimet. Këto shpërblime shtetërore të cilat ndan MKRS-ja janë një mirënjohje dhe falënderim për punën të cilët këta artistë e profesionistë të muzikës e kanë krijuar duke kontribuar në kultivimin e vlerave të mirëfillta muzikor. Gjithashtu, dua t’i falënderoj anëtarët e Jurisë Profesionale për vlerësimet e tyre, të cilët nuk e kanë pasur të lehtë të përzgjedhin më të mirët në mesin e kandidatëve”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.
Çmimet tjera vjetore nga fusha e muzikës janë siç vijon:
Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike i ndahet kompozitorit Valton Beqiri, për veprën “Rrugëtimi”, si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar;
Çmimi për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertante i jepet kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, për veprën “Koncert” për kitarë dhe orkestër, për marrëdhënien dinamike të vazhdueshme dhe bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës;
Çmimi për vepër kamertale i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Trance” për orkestër harqesh për kompaktësinë dhe gjetjen kompozicionale;
Çmimi për vepër korale i jepet kompozitorit Hajrullah Syla për veprën “Ubi Caritas” për kor miks për këndvështrimin origjinal të kompozimit;
Çmimi për veprat solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Mehdi Mengjiqi për veprën “Discantus” për kontrabas solo për risjelljen e vlerave të “discantusit” në kohën moderne përmes ruajtës së kontekstit formal.
Të gjitha çmimet shpërblehen edhe me shuma financiare sipas rregullores për çmimet për muzikë. Gjithashtu, parashihet që të organizohet edhe një ceremoni solemne për ndarjen e këtyre çmimeve, por për shkak të rrethanave të pandemisë, ceremonia do të organizohet në një datë të përshtatshme.
Juria profesionale e cila ka bërë shqyrtimin dhe analizimin e veprave muzikore të paraqitura në konkurrim ka qenë në përbërje të kompozitorit Prof. Dr. Vasil S. Tole – kryetar, kompozitorit Rafet Rudit dhe kompozitorit e dirigjentit Baki Jashari – anëtarë.
Kompanitë gjermane po ulin gjithnjë e më shumë orët e punës ...
13 persona të vdekur nga rrëshqitjet e dheut në Ugandë
Kurti uron Shqipërinë: 28 Nëntori na bashkon të gjithë shqip...
Parada për 112-vjetorin e Pavarësisë “kthen” në rrënjët e at...
“Emocioni mbetet i njëjtë edhe pas 112 vitesh”, stërnipi i I...
Osmani: Vepra e prof. Repishtit dëshmi e guximit për lirinë ...